Kuvendi i Kosovës pritet që sesionin e ri vjeshtor ta nisë të hënën. Monitoruesit e punës së këtij institucioni vlerësojnë se diskutimi mbi rrëzimin e Qeverisë Kurti do ta mbizotërojë debatin në seancat plenare, çka do ta ndikojë negativisht edhe agjendën legjislative. Ata kanë kërkuar më shumë përgjegjshmëri prej deputetëve për krijimin e kuorumit
Çështja e rrëzimit të Qeverisë Kurti do ta dominojë diskutimin në seancat e sesionit vjeshtor të Kuvendit, i cili pritet të nisë të hënën, vlerësojnë monitoruesit e punës së legjislativit.
Arbër Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se debatet mbi këtë çështje do ta vonojnë edhe përmbushjen e agjendës legjislative për këtë sesion.
“Pa dyshim se debati për rrëzimin e Qeverisë apo një mocion potencial do të dominojë si temë gjatë javëve në vazhdim dhe fatkeqësisht kur kemi tema të tilla krejtësisht politike ato lënë prapa agjendën legjislative”, ka thënë Thaçi.
Përmbushja e agjendës legjislative, sipas tij, pritet të ketë dinamikë të ngadaltë e madje edhe më të ulët sesa në sesionin e kaluar.
“Pritshmëritë tona janë të kemi një lloj shpërfaqjeje të problemeve të zakonshme, meqenëse nuk ka as ndryshime por as politika të cilat shihen se sfidojnë këto probleme nga ana e udhëheqësve të institucionit të Kuvendit. Duke pasur parasysh gjendjen fragjile në kuptimin e numrave mes pozitës e opozitës, mbase gjatë këtij sesioni do të kemi edhe më tepër dështime të seancave, numër më të ulët të projektligjeve të miratuara”, ka shtuar ai.
E Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se ndër çështjet kryesore në të cilat duhet të ketë reflektim gjatë sesionit të ardhshëm është sigurimi i kuorumit pjesëmarrës e vendimmarrës.
“Është e pakuptimtë që për secilin vit Kuvendin ta përcjellë fenomeni i dështimit të seancave për shkak të kuorumit, sidomos nga shumica parlamentare”, ka thënë Jakaj.
Kuvendi ka në procedurë 48 projektligje që kanë mbetur të papërfunduara nga sesionet e kaluara.
Pjesë e punës gjatë sesionit, monitoruesit thonë se mund të bëhet edhe vettingu.
“Prioritet për kuvendarët pritet të jenë një sërë projektligjesh, duke filluar nga miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm. Pastaj miratimi i Kodit Civil dhe ligjeve të tjera, siç janë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e që kërkohet shumicë absolute e deputetëve të Kuvendit në procesin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Jakaj.
Gjatë sesionit pranveror deputetët miratuan 43 ligje, që nuk është as gjysma e punës së kryer në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.