Arbëri

Sërish dështim, nuk votohet komisioni për votim të fshehtë

kuvend

Foto: Driton Paçarada

Ka dështuar edhe për herë të 39-të tentimi për konstituim të Kuvendit. Deputetët nuk kanë votuar për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit.

Për formimin e komisionit votuan 53 deputetë, kundër dhe abstenime nuk pati. Kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partitë për të çuar emra për komision, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, në foltore i quajti deputetët shkelës të Kushtetutës. Gjatë procesit të votimit deputetët e LDK-së goditën tavolinat në shenjë proteste.

Mbledhja e sotme ndodhi një ditë pas takimit të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend, i cili takim nuk prodhoi asgjë konkrete sa i përket arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për daljen e vendit nga ngërçi i krijuar politik për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për Albulena Haxhiun kryetare e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa akuzuan Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se po keqinterpretojnë aktgjykimin e fundit të Kushtetueses mbi konstituimin e Kuvendit, duke këmbëngulur në formimin e komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka thënë se do të ketë shkelje kushtetuese nëse do të shkohet sërish me formatin e deritanishëm të seancës për propozimin dhe hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë se mos respektimi i aktvendimit të Kushtetueses mbi daljen e vendit nga kriza politike është hapi i parë i përmbytjes së rendit kushtetues dhe se fajtor për këtë është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i kësaj të fundit tha se PDK-ja dhe LDK-ja e kanë “keqlexuar” aktgjykimin e Kushtetueses dhe nëse nuk votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit me votim të fshehtë ajo do të tërhiqet nga kandidatura.

Kushtetuesja ditën e enjte ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Lexo përditësimet tjera
Tentimi i 20-të për konstituim të Kuvendit

Sërish dështim, nuk votohet komisioni për votim të fshehtë