(E përditësuar 16:40) - Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.
Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.
“Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.
Serbia thotë se ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së
(15:25) - Serbia ka thënë të martën se ka arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të identifikuar me iniciale A.Q. Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Në njoftim pretendohet se i dyshuari në prill të vitit 1998 i është bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romajë në komunën e Prizrenit dhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani” ka marrë pjesë në sulmin ndaj posti kufitar serb në Koshare në vitin 1999.
Të dyshuarit A.Q. (1973) i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh dhe MPB-ja serbe shtoi se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.
“Në prill të vitit 1998, i dyshuari iu bashkua selisë lokale të të ashtuquajturës "UÇK" për fshatin Romajë, komuna e Prizrenit, dhe si anëtar i Brigadës së 138-të, Agim Ramadani mori pjesë në sulmin ndaj postbllokut të rojës së Koshares në vitin 1999. Me urdhër të prokurorit publik në detyrë për krime lufte, i dyshuari u ndalua deri në 48 orë, pas së cilës do të dërgohet në prokurorinë kompetente me një kallëzim penal”, thuhet në njoftimin e MUP-it serb.
Autoritetet në Kosovë ende nuk kanë reaguar për këtë pretendim të Serbisë.