Zyrtarët serbë kanë ashpërsuar diskursin në raport me Kosovën dhe Bashkimin Evropian në javën kur është planifikuar të mbahet takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti e presidentit serb, Vuçiq.
Akuzat kanë ardhur pas një komunikate të zyrës së përfaqësuesit të lartë të BE-së, i cili paralajmëroi të dyja se palët se do të mbajnë përgjegjësi për çfarëdo përshkallëzimi të situatës.
“Rritja e retorikës nxitëse së fundi mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht deklaratat për luftë dhe konflikt në Ballkan Perëndimor janë mjaft shqetësuese. Politikanë të lartë të dyja palëve do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim që çon në rritjen e tensioneve dhe potencialisht dhunë në rajon. Të dyja palët duhet t’i ndalin menjëherë armiqësitë e ndërsjella dhe deklaratat e rrezikshme dhe të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet nga BE-ja.
Presidentja Osmani pas takimit me homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj, e ka cilësuar të gabuar qasjen e BE-së, duke thënë se Serbia është ajo që po nxit tensione në terren.
“Serbia është ajo që rrezikon, Serbia është ajo që destabilizon, Serbia është ajo që me retorikën serbomadhe vazhdon t’i shikojë shtetet e tjera të rajonit si shtete të përkohshme, pra përderisa Kosova vazhdimisht përgjatë historisë së saj vetëm ka kontribuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Prandaj edhe nga Bashkimi Evropian kërkojmë që trajtimi që ata e quajnë neutral të mos jetë trajtim i njëanshëm që favorizon një shtet që po ka tendenca territoriale dhe destabilizuese në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me shtetet e tjera të rajonit”, tha Osmani.
E presidenti i Shqipërisë, Begaj, tha se Kosova tregoi maturi pas tensioneve të fundit në raport me Serbinë.
“Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë-Serbi e shprehur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve e fokusuar në njohje reciproke. Apo qëndrimi i përsëritur i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një: marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton saktësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve sipas Kushtetutës së Kosovës”, tha Begaj.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, gjatë prezantimit të armatimit të ri ka përmendur ruajtjen e paqes dhe dhunën brenda një fjalimi.
Ai ka paralajmëruar se vendimi për targat nuk do të lejohet të zbatohet në veri.
“Kjo mund të bëhet vetëm me dhunë, por mos prisni që Serbia t'ju ndihmojë në rregullimin ligjor të problemit. Ne jemi të interesuar të diskutojmë gjithçka. Ne nuk kemi problem me temat. Ne duam të flasim për Asociacionin e komunave serbe. Nëse thonë se nuk është në përputhje me Kushtetutën, atëherë nuk na duhet një e tillë në përputhje me kushtetutën, sepse një komunitet të tillë mund ta formojë çdo qytetar. Pse duhet të na interesojë Kushtetuta e tyre”, tha Vuçiq.
Brukseli, por as qeveria nuk e ka zbardhur ende agjendën e takimit të 18 gushtit.
Derisa, kryeministri Kurti vazhdon të insistojë në një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ku në qendër të saj është njohja reciproke, Serbia kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Para takimit të ndërmjetësuar nga BE-ja - i treti që prej rinisjes së dialogut, Kurtin e Vuçiqin do t’i takojë ndaras edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.