Arbëri

Serbia ndërhyn në zgjedhjet e Kosovës, presionet e larguan nga gara Rashiqin

Ambient të njëjtë politik edhe për zgjedhjet lokale të tetorit është duke krijuar Serbia brenda territorit të Kosovës. Përveç mbështetjes shtetërore që po i ofron Listës Serbe, zyrtarë nga Beogradi kanë përuruar edhe objekte për llogari të sistemit që Prishtina e konsideron ilegal. Për shkak të rrethanave aktuale dhe presioneve, në zgjedhjet lokale nuk do të marrë pjesë edhe politikani demokrat, Nenad Rashiq. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asgjë për t’i adresuar shqetësimet e serbëve që duan të veprojnë jashtë Listës së Beogradit.

Serbia është duke vazhduar me ndërhyrje në Kosovë edhe sa u përket zgjedhjeve lokale, duke i ofruar mbështetje një subjekti të vetëm. Kjo situatë po vazhdon pavarësisht raporteve të vazhdueshme që kanë konstatuar se serbët përballen me presione e shantazhe nga Beogradi zyrtar.

Mbytja e pluralizmit partiak në mesin e serbëve është denoncuar edhe nga politikanë të këtij komuniteti. Kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, thotë se për shkak të ambientit aktual nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

“Në vend që të ndryshojë ambienti, përkundrazi ai po përkeqësohet çdo herë. Duhet ta dini, zgjedhjet në gjuhën serbe ‘izbori’ është e drejta për me zgjedh cilin të duash. Por tek na nuk ka zgjedhje, forma të zgjedhjes, por ka vetëm ultimatum ose represione për cilin duhet të votojnë”, shprehet ai.

Rashiqi shton se shqetësimet e ngritura në vazhdimësi nuk janë marrë parasysh nga askush.

“Sikur më 2013-n, në çdo proces zgjedhor, paszgjedhor jo që i kemi informuar, por edhe jemi dëshmitarë të shumtë të presioneve, heqjes nga puna, ndalja në kufij - krejt këto jo që i kemi informuar, por i kemi angazhuar edhe institucionet e Kosovës. Por deri më sot asnjë prej atyre rasteve nuk ka pasur kurrfarë epilogu, që do të thotë se institucionet e Kosovës nuk janë të gatshme që të organizojnë zgjedhje të lira dhe kjo dihet jo vetëm unë që e di këtë. Jam i sigurt që edhe institucionet e Kosovës e kuptojnë se nuk janë në gjendje që t’i zbatojnë ligjet dhe rregullat që parashohin zgjedhje demokratike”, thotë Rashiq.

Qasje të njëjtë Beogradi zyrtar është duke aplikuar edhe në parafushatën e këtyre zgjedhjeve.

Prej dy ditësh në Kosovë ka zbarkuar një vartës i Vuçiqit. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka përuruar edhe objekte për llogari të sistemit që Kosova e konsideron paralel. Bashkë me zyrtarët e Listës Serbe të premten ka vënë gur-themelin e objektit të ri të Universitetit paralel të Mitrovicës së Veriut.

“Këto nuk janë ditë të zakonshme dhe sot nuk vendosëm një gur-themel të zakonshëm, por një gur-themel të harmonisë dhe unitetit serb, të popullit serb në Kosovë dhe Metohi, dhe kjo është arsyeja pse sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe siç do të jemi me Listën Serbe, Universitetin dhe shtetin e Serbisë. Vetëm me këtë unitet populli ynë ka të ardhme, ashtu siç tha dje presidenti Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Petar Petkoviq.

Krah Petkoviqit ishte edhe kryetari ilegal i Komunës së Mitrovicës, Aleksandar Spiriç, dhe ministri në Qeverinë Kurti, Goran Rakiq.

Pas këtij përurimi kanë reaguar përfaqësues të opozitës. Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Kurti, duke thënë se ministri Rakiq duhet të shkarkohet menjëherë.

Serbia vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele në politikë, arsim, ekonomi e shëndetësi të cilat kanë shtrirje edhe në jug të Ibrit.

Prezencën e tyre e denoncoi edhe qeveria aktuale në takimet e fundit në Bruksel. Por, Beogradi e ka bërë të qartë se nuk do t’i shuajë këto struktura dhe se qëllimi është t’i fusë nën ombrellën e Asociacionit.