Arbëri

Serbia flet për ndërtimin e tubacionit të gazit Nish-Prishtinë, Kosova hesht

Krahas përurimit të objekteve arsimore në territorin e Kosovës, presidenti serb ka folur edhe për ndërtimin e tubacionit të gazit Nish-Prishtinë në gjatësi prej 114 kilometrave. Në lidhje me ndërhyrjet e Serbisë edhe në këtë fushë nuk janë deklaruar në kabinetin e kryeministrit Kurti. Këto projekte të Serbisë vijnë pak javë pasi Qeveria denoncoi ndërhyrjet e Beogradit në shumë fusha

Projekte në emër të Serbisë e që kalojnë nëpër territorin e Kosovës ka premtuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Gjatë një vizite në Prokupje, Vuçiqi ka thënë se në fund të shtatorit do të fillohet me ndërtimin e seksionit të autostradës Nish-Merdar. Ai po ashtu njoftoi ndërtimin e tubacionit të gazit Nish-Prishtinë në gjatësi prej 114 kilometrash.

“Ajo që ne mund të bëjmë janë 90 kilometra tuba çeliku, dhe më pas tuba plastike për shpërndarje në familje dhe objekte komerciale, kryesisht për zonën industriale të Hisarit këtu në Prokuplje. Vetëm për Prokupljen kjo do të na kushtojë 36 milionë euro”, ka deklaruar Vuçiq.

KOHA ka pyetur në Qeverinë e Kosovës sa i përket këtij projekti dhe nëse në të kaluarën ka pasur diskutime për të, por nuk janë përgjigjur.

Qeveria deri më tani nuk ka zbardhur ndonjë plan për ndërtimin e tubacionit të gazit. Kjo çështje përmendet në programin e Qeverisë në kontekst të zhvillimit ekonomik.

“Rritja ekonomike nuk mund të bëhet pa një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të energjisë, duke marrë për bazë ruajtjen e mjedisit, furnizimin e sigurt me energji, shfrytëzimin efektiv të energjisë, zhvillimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe të ripërtërishme, krijimin e tregut konkurrues, zhvillimin e sistemit të gazit natyror dhe krijimin e vendeve të reja të punës që ndërlidhen me sektorin e energjisë dhe respektimin e plotë të Traktatit të Komunitetit të Energjisë”, shkruan në program.

Realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore e kishte marrë përsipër ish-Qeveria Hoti me marrëveshjen e 4 shtatorit në Washington.

Autostrada e paqes Beograd-Prishtinë është njëra prej pikave të marrëveshjes, e cila po ashtu është diskutuar edhe në kuadër të forumeve të organizuara nga Bashkimi Evropian.

Përveç projekteve infrastrukturore, Serbia të premten ka përuruar edhe ndërtimin e objektit të ri të Universitetit në Mitrovicën e Veriut.