Derisa Qeveria e Kosovës vazhdon heshtjen lidhur me temat e diskutuara javën e shkuar në Bruksel, zyrtarët serbë kanë vazhduar të flasin për zgjidhjet që duan në dialog, duke çuar mesazhe edhe ndërkombëtare lidhur me situatën e sigurisë. Në Zyrën e Kryeministrit kanë konfirmuar se Kurti do të deklarohet të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë. E njohës të rrethanave thonë se mungesa e transparencës po lë hapësirë që pala serbe edhe të dezinformojë lidhur me çështjet e diskutuara
Kryeministri Kurti ka vendosur të deklarohet këtë të mërkurë, në fillim të mbledhjes së Qeverisë lidhur me temat e diskutuara javën e shkuar në Bruksel. Kjo ka qenë përgjigjja e vetme e zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, në pyetjet e adresuara përkitazi me takimin dhe pretendimet e ngritura nga pala serbe.
“Faleminderit për pyetjet. Më poshtë gjeni deklarimin tonë në lidhje me to: Në lidhje me takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti do të flasë këtë të mërkurë në adresimin e tij në fillim të mbledhjes së kabinetit qeveritar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Deklarimi i Kurtit do të vijë gjashtë ditë pas takimit të Brukselit, e tri ditë pas konferencës së presidentit serb, Vuçiq, i cili shpalosi edhe çështjet e ngritura nga kryeministri kosovar.
Për temat që i përmendi Vuçiqi nuk kanë komentuar as zyrtarët e BE-së, teksa kanë përsëritur thirrjen për arritjen e një kompromisi.
“Ne nuk komentojmë mbi komentet. Unë ftoj të shihen deklarimet e së enjtes së kaluar të Përfaqësuesit të Lartë (HRWP). BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët dhe do të vazhdojë angazhimin e saj edhe këtë javë. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të jenë të gatshëm për kompromise për ta depërshkallëzuar situatën/të shmangin tensionet para 1 shtatorit”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
e Borrellit ka konfirmuar për KOHËN se më 24-25 gusht në Kosovë e Serbi do të qëndrojnë për vizitë emisari i BE-së Miroslav Lajçak dhe ai amerikan, Gabriel Escobar.
“Në takimin e Dialogut të Nivelit të Lartë të enjten e kaluar, të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë diskutimet. Në vazhdim të takimeve të javës së kaluar, përfaqësuesi i Lartë, Borrell, i ka kërkuar përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, që të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi këtë javë (24-25 gusht 2022) në mënyrë që të avancohet drejt një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për të shmangur tensionet e reja në terren. Në misionin e tij, atij do t'i bashkohet edhe përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendësndihmës Sekretari, Gabriel Escobar”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se një transparencë në vija të trasha është e domosdoshme, edhe nëse ka pasur dakordim me BE-së për të mos shpalosur më shumë nga takimet.
“Por parimisht një transparencë është e nevojshme marrë parasysh edhe diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje sa ka qenë pjesë opozitës dhe marrë parasysh se edhe ne në të kaluarën ku i kemi parë qeveritë e kaluara se nuk kanë qenë transparente. Sepse mungesa e transparencës pastaj sjell edhe kokëçarje të tjera në kuptimin e dialogu pasi që mund të hidhen edhe skenarë të cilët nuk ekzistojnë dhe mund të krijohet edhe një lloj fushate edhe dezinformimi e konspiracioneve të ndryshme që nuk i bëjnë nder Republikës së Kosovës”, ka thënë Fetahu.
Megjithatë, Fetahu e konsideron pozitiv faktin se është diskutuar për kornizat e marrëveshjes finale.
“Ajo çfarë kemi si diçka pozitive është deklarimi se është diskutuar për marrëveshjen finale dhe konsiderojmë se këtu duhet të jetë fokusi i qeverisë së Kosovës dhe energjia duhet të drejtohet te diskutimi për marrëveshjen finale dhe kornizimin e saj, pasi që hapja e temave një nga një mund ta prolongojë procesin dhe nuk i shkon përshtati edhe Kosovës dhe pozicionit që ka ajo momentalisht”, ka shtuar ai.
Por qasjen e Qeverisë së Kosovës karshi dialogut e ka kritikuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka paralajmëruar se nga shtatori do të nisë një proces bashkëbisedimi me qytetarët, për të diskutuar për dialogun e njohje reciproke Kosovë-Serbi.
“Procesi i dialogut, situata e krijuar politike dhe ekonomike në vend, na shtynë të jemi më të angazhuar e më të fokusuar si asnjëherë me parë. Që nga java e parë e shtatorit të këtij viti, do të fillojë një proces bashkëbisedimi me qytetarët e Kosovës në vendbanime të ndryshme të vendit. Do të flasim hapur për dialogun për njohje reciproke Kosovë-Serbi; për situatën e rëndë ekonomike - sociale me theks të veçantë për krizën e rëndë energjetike”, ka thënë Haradinaj.
Derisa qeveria ka heshtur lidhur me diskutimet në Bruksel, përfaqësuesit serbë kanë vazhduar shfaqjet në opinion edhe të hënën. Një ditë pas konferencës së presidentit serb, drejtues të Listës Serbe, nëpërmjet një konference për media veç mbështetjes që i kanë ofruar Vuçiqit për gjetjen e një zgjidhje, kanë kërkuar prej KFOR-it që të kujdeset për sigurinë e tyre.
“Ne kërkuam garanci të qarta dhe të qëndrueshme se Vuçiqi nuk do të lejojë pogromin dhe persekutimin e popullit tonë. Ne vazhduam të luftojmë institucionalisht për të drejtat e popullit tonë, por këtë herë, në rast se nuk arrihet një zgjidhje kompromisi, do të fillojmë të largohemi nga institucionet, dhe në këtë mënyrë të ndodhë shpërbërja e plotë e dialogut të Brukselit, të cilin Prishtina e ka bërë të pakuptimtë duke e refuzuar tashmë 10 vjet themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Ai ka shtuar se të mërkurën kuvendet komunale të veriut do të mbajnë një seancë të përbashkët për të diskutuar për sigurinë në veri.