Arbëri

Serbët të revoltuar e shqiptarët i duartrokasin pagesës së rrymës në veri

Qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës po ankohen kundrejt vendimit për fillimin e pagesës së energjisë elektrike. Madje disa nga ta si kusht po kërkojnë infrastrukturë të re energjetike. E shqiptarët thanë se janë të gatshëm t’i përgjigjen pozitivisht vendimit për faturim të rrymës që harxhojnë

Rrymë falas nuk do të ketë më as për serbët e as për shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore të vendit.

Ka mbi 20 vjet që qytetarët që jetojnë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë. Madje disa nga këta konsumatorë nuk kanë as matës të rrymës. E njehsorët që i kanë vlerësohen të jenë të vjetër. KOHA merr vesh se me financim të Bashkimit Evropian do të bëhet vendosja dhe zëvendësimi i rreth 25 mijë njehsorëve.

Qytetarët serbë shprehen të revoltuar me vendimin për energjinë derisa shtojnë se vetëm pas vendosjes së matësve të rinj dhe faturimit prej zeros do ta shqyrtojnë pagesën e rrymës.

Disa të tjerë ankohen për obligimet shtesë që u ka dhënë shteti i Kosovës.

“Do të jetë goxha e papërshtatshme. Ne jemi qytetarë të vjetër të Mitrovicës, nuk e di se si do të bëhet përnjëmend. Ne jemi pensionistë, sikur e kemi pensionin fort të madh. Unë nuk e kam pensionin e madh. Jetoj e vetme, fëmijët nuk i kam këtu”, ka thënë Bozhidarka Periq, banore e Mitrovicës së Veriut.

E qytetarët shqiptarë janë të gatshëm t’i përgjigjen pozitivisht vendimit për faturim të rrymës që harxhojnë.

“Vendimi i Qeverisë është me vend. Ne që jetojmë këndej, shqiptarët po mendoj, e mirëpresim. Gjë normale është kjo. Për ne kurrgjë nuk na pengon”, ka thënë Gani Haziri, banor i Mitrovicës së Veriut.

Deri më tash Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut ka qenë përgjegjës për energjinë në veri.

Pas licencimit të “Elektroseverit” kjo kompani do ta ketë për detyrë furnizimin, faturimin dhe mbledhjen e borxhit.

Kryeshefi Evetar Zeqiri thotë se KOSTT-i nuk do të mbajë më përgjegjësi edhe në dështimin eventual të “Elektroseverit” në mbledhjen e borxhit të konsumatorëve.

Por, ai përmend hapat që do të ndiqen nëse kompania furnizuese nuk u përgjigjet detyrimeve të saj ndaj KOSTT-it.

“Përgjegjësitë tona janë të definuara me marrëveshjet teknike mes KOSTT-it dhe ‘Elektroseverit’ dhe çdo dështim i palëve për të shlyer obligimet e tyre ndiqet sipas rregullave të parapara të tregut dhe aspektit komercial përmes procedurave, qoftë përmbarimore apo procedurave të gjykatës”, ka thënë Zeqiri.

Në veri vlerësohet të jenë rreth 20 mijë konsumatorë, por për shifrën e saktë KEDS-i nuk ka ndarë detaje me KOHËN.

Për refuzimin eventual të pagesës së rrymës nga qytetarët e për investimin në njehsorë nuk janë përgjigjur as në Qeveri dhe as në Bashkimin Evropian.