Angazhim më i madh për Ballkanin Perëndimor i është kërkuar administratës së presidentit Donald Trump, në diskutimet që u mbajtën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara. Mes tjerash është kërkuar angazhim që Kosova të anëtarësohet në NATO e Serbia ta njohë sovranitetin e këtij shteti. Analistë të njohur që folën në këto diskutime u përgjigjën me “po” në pyetjen e kryetarit të Nënkomisionit për Evropën, nëse Albin Kurti shihet si pengues nga burokratët e Departamentit Amerikan të Shtetit
Jostabiliteti në Ballkan përbën terren pjellor për ndikimin e Rusisë në nxitjen e tensioneve ndëretnike, është thënë në diskutimet që janë mbajtur në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.
Kryetari republikan i Nënkomisionit për Evropën, Keith Self, ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor është rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Theksi është vënë tek mungesa e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe pse konflikti i hapur është qetësuar që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990, shekuj të tërë përçarjesh etnike, ndryshimesh kufijsh dhe mosbesimi politik vazhdojnë ta përndjekin këtë rajon, ndërsa kriza të ndryshme politike kërcënojnë rendin post-jugosllav. Si shembull, marrëdhënia e pazgjidhur e Serbisë me Kosovën është një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale që ka krijuar një vijë strategjike përçarjeje, e cila ia mundëson Rusisë të minojë aftësinë e BE-së dhe NATO-s për të fuqizuar vendet e Ballkanit”, ka thënë Self. “Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 midis Serbisë dhe Kosovës, që synonte të ulte tensionet e menjëhershme dhe të ringjallte marrëveshjet e kaluara ka ngecur. Kriza zgjedhore në Kosovë e ka përkeqësuar këtë situatë si rezultat i dështimit të Republikës (së Kosovës v.j.) për të formuar një qeveri pas zgjedhjeve të 25 shkurtit, duke shkaktuar përgatitjen aktuale të Kosovës për zgjedhje të tjera të parakohshme më 28 dhjetor. Pas zgjedhjeve, nëse Kosova formon një qeveri, shpresoj sinqerisht që Serbia më në fund do ta njohë sovranitetin e Kosovës”.
Self ka folur edhe për frikën e Kosovës që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në këtë linjë ka folur edhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Kosova i frikësohet ndikimit serb në bashkimin e komunave me shumicë serbe, të ashtuquajturin AKS, dhe nuk i ka zbatuar plotësisht politikat e AKS-së. Vetëm përtej kufirit në Serbinë jugore, raportet e përhapura të pasivizimit të adresave në Luginë të Preshevës janë të dokumentuara mirë nga burime të shumta, duke pretenduar se po bëhet një përpjekje e përbashkët për të çliruar Luginën nga shqiptarët etnikë. Në të vërtetë, kundërshtarët e Amerikës po shfrytëzojnë në mënyrë aktive dobësitë si pasivizimi, ndërsa angazhohen në luftë hibride, domethënë, duke shtuar paqëndrueshmërinë e rajonit.
Partia Komuniste Kineze ka ushtruar ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi”, ka thënë ai.
Keith Self ka shtuar se Kina po nënshkruan marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin me synimin e ruajtjes së aparatit të saj “keqdashës” dhe shfrytëzimit të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Duke e quajtur rajon “shpesh të neglizhuar”, Self ka thënë se ende ka mundësi për përmirësim sa i përket stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, dhe lidershipi amerikan duhet të ketë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e rikthimit të konflikteve.
Angazhim më i madh për Ballkanin Perëndimor i është kërkuar administratës së presidentit Donald Trump dhe të ketë më shumë balancim në raport me palët.
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, ka thënë se ndonëse asnjë aktor i vetëm nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, “Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”.
Ai ka thënë se ka ardhur koha që SHBA-ja të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.
Joseph ka akuzuar administratën amerikane për qëndrim të pabalancuar në raportin Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se vetëm Kosova po mbahet përgjegjëse, teksa ka kujtuar sulmin terrorist në Banjskë.
Joseph ka thënë se SHBA-ja duhet ta vazhdojë mbështetjen ekonomike e ushtarake për Kosovën. Por, sipas tij, ndihma më e mirë do të ishte anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të zgjidhte ngërçin.
“Vetëm rruga drejt NATO-s do t’i jepte fund ngërçit, sepse Serbia s’do të kishte opsione të tjera. Fushata e çnjohjeve dhe varësia nga Rusia dhe Kina do të ishin të pavlefshme sepse anëtarësimi në NATO është shumë më i rëndësishëm se anëtarësimi në OKB”, ka thënë ai.
Pos Josephit, edhe Max Primorac, bashkëpunëtor në qendrën “Margaret Thatcer për Liri”, për Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikë e Amerikë Latine, ka thënë se Kosova duhet të mbështetet nga SHBA-ja. Ai ka lavdëruar Kosovën për qasjen properëndimore teksa ka thënë se e ka lëvizur edhe ambasadën drejt Jerusalemit, siç i ka premtuar Trumpit.
“Çfarëdo marrëveshje edhe me Serbinë duhet ta përfshijë njohjen. Por Presidenti Trump duhet ta zgjerojë arritjen e marrëveshjeve në Ballkan me fokus në energji dhe tregti. Por në mënyrë që këto marrëveshje të jetësohen administrata aktuale duhet që sa më shpejt t’i emërojë ambasadorët e rinj atje”, tha Primorac.
Thirrje për largim të Serbisë nga orbita e Rusisë ka bërë edhe Luke Coffey nga Hudson Institute.
Të tre ekspertëve u është bërë edhe një pyetje e mbyllur.
“A e shohin burokratët e karrierës së Departamentit të Shtetit kryeministrin Kurti si pengues?”, ka pyetur Self.
Të tre janë përgjigjur me “po”.
Ata janë përgjigjur me “po” edhe në pyetjen nëse do ta mbështesnin një raport josekret të qeverisë amerikane mbi sulmin militant serb në Banjskë të Kosovës, për çështjen e përfshirjes së mundshme të Qeverisë së Serbisë.
Të tre kanë thënë se SHBA-ja duhet të bëjë presion që Serbia të ndalë pengesat për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Ata po ashtu kanë thënë se Serbia po pasivizon padrejtësisht adresat e shqiptarëve në Luginë e se po shkel të drejtën e gjuhës shqipe në institucionet e Serbisë.