Kuvendi do të mbajë të enjten një seancë solemne me rastin e 23-vjetorit të nisjes së bombardimeve mbi caqet ushtarake serbe, si dhe një debat lidhur me politikën e jashtme. Partia Demokratike ka përsëritur kërkesën për ndryshimin e ligjit që u mundëson qytetarëve edhe një tërheqje nga mjetet e Trustit, por partia në pushtet ka thënë se nuk do ta mbështetë këtë iniciativë
Përvjetori i 23-të i bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe do të shënohet me seancë solemne të Kuvendit më 24 mars. Në prag të këtij përvjetori, Kosova nisi procedurat për t’u anëtarësuar në Forcën që aktualisht ia ruan kufijtë Kosovës. Vendimi për seancën është marrë të hënën në mbledhjen e kryesisë, prej ku partitë opozitare parashtruan kërkesa për të diskutuar rreth çështjeve të tjera.
Partia Demokratike e ka ftuar në debat parlamentar kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën, për zhvillimet në politikën e jashtme.
“Kemi një mori vërejtjesh lidhur me zhvillimet e politikës së jashtme. Ka pasur skandale të njëpasnjëshme nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe një heshtje totale nga kryeministri Albin Kurti. Ftojmë kryeministrin dhe ministren Gërvalla të ballafaqohen. Mendojmë se duhet të ketë një reflektim mbi zhvillimet e politikës së jashtme të Qeverisë Kurti”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar që sa më parë të merret vendim për rritjen e pagës minimale dhe të kalojë projektligji për pagat.
“Gjendja ekonomike në vend nuk mbahet mend që ka qenë më e vështirë dhe më keq. Kjo vjen edhe për shkak të konfliktit global, por edhe për mosveprimit të qeverisë. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë, ngriheni pagën minimale në 400 euro me një vendim, lëreni tryezat. Prandaj, qeveria duhet ta sjellë për miratim edhe ligjin për pagat”, është shprehur Tahiri.
E kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka përmendur të arriturat e Qeverisë Kurti përgjatë një vit qeverisjeje.
“Është një Qeveri që ka pasur fokus të veçantë në avancimin e barazisë gjinore për vetë faktin që kemi pesë ministre gra. Ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në rend dhe ligj. Është hera e parë që një qeveri në mënyrë sistematike ka luftuar krimin e organizuar. Në një kohë tepër të ndjeshme Qeveria Kurti ka treguar stabilitetin në qeverisjen e saj. Kushdo që synon dhe kritikon, duhet të marrë pasqyrën dhe të shohë veprimet e veta që ka pasur, por edhe sjelljen”, ka theksuar ajo.
PDK-ja ka insistuar sërish në kërkesën që qytetarëve u mundëson të tërheqin edhe një sasi të mjeteve nga Trusti pensional. Mbështetje nismës i ka dhënë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk do ta mbështesin projektligjin që u mundëson qytetarëve tërheqjen e parave nga fondi i kursimeve.
Përveç seancës solemne me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s, kryesia ka vendosur që të enjten të zhvillohet debat për politikën e jashtme si dhe të shqyrtohen disa projektligje.
Kuvendi e ka në shqyrtim të parë projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit, si dhe atë për pronën publike. Ndërsa në lexim të dytë, projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, si dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështje penale. Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e dy raporteve- raportit me rekomandime lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit për Infrastrukturën Kritike, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për vitin 2020.