- Mandatari për kryeministër, Albin Kurti ka prezantuar programin me të cilin synon të qeverisë edhe për një mandat
- Ai ka thënë se nuk ka arritur koalicione për bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër, por ka kërkuar votën që të qeverisë për të kaluar disa pika, me në krye buxhetin e shtetit
- Ai ka numëruar vendimet e para që do t’i marrë po që se merr mandatin edhe për një qeveri
- Partitë opozitare shqiptare, PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë thënë se s’do të mbështesin formimin e Qeverisë Kurti 3
- Kosova është pa qeveri fuqiplotë që nga zgjedhjet e shkurtit
- Kriza rrezikon t’i kushtojë Kosovës me miliona euro
Kurti prezanton kabinetin qeverisës
Kurti: Më votoni për interes publik e shtetëror, jo partiak
Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka arritur të sigurojë koalicion për të qeverisur. Ai ka thënë se asnjë prej partive që u ka bërë ftesë nuk kanë pranuar marrëveshje bashkëqeverisjeje.
Kurti ka kërkuar votën që të qeverisë për të mundësuar vijimësi të institucioneve për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bëmë ftesë nuk ka pranuar që të hyjë në bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar që të kishte koalicion. Po të pranohej oferta, sot do t’i kishim ofruar vendit qeverinë, por do ta kishim numrat që ta kalonim edhe sfidën e presidentit”, ka thënë ai në fillim të prezantimit. “Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”.
“Në mungesë të Kuvendit të këtyre muajve, kanë mbetur 33 agjenci pa mbikëqyrje. Ngjashëm pa qeveri, është një ditë humbje për zhvillimi, qytetarin dhe shtetin. Nëse nuk votohet qeveria e re, do të zgjatet qeveria në detyrë. Sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet, ndonëse kemi pasur oferta të sinqerta për partitë. Ftoj secilin deputet që të votojë jo për interes partiak, por për interes publik dhe shtetëror”, ka shtuar ai.
Kurti ka numëruar edhe ato që ka thënë se do të jenë pesë vendimet e para, po që se merr besimin e deputetëve.
“Miratimi i projektligjit të buxhetit 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek 200 mijë pensionist, vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe miratimi i ndryshmit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët”, ka thënë ai.
“Katër vitet e fundit kemi ndërtuar me krejt cka kemi ditur e mundur. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon me rritje mesatare mbi 6 për qind. Sfidën e inflacionit kemi ditur ta menaxhojmë. Kemi shtuar punësimin dhe kemi rritur edhe të ardhurat e familjeve. Kemi bërë shumë punë të mira por kemi edhe shumë të tjera që na presim. Kemi liberalizuar vizat në zonat shengen. Kemi përmirësuar imazhin e vendit”, ka thënë ai teksa ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore.
“Është në dorën tuaj që ta na mundësoni qeverisjen e mirë. Ne jemi vendi më demokratik në rajon. Institucionet tona janë të ndërtuara mbi vullnetin qytetar dhe ky standard duhet të ruhet. Roli i Kuvendit duhet të forcohet në mbikëqyrjen e Qeverisë”, ka deklaruar Kurti.
Nis seanca për formimin e Qeverisë së re
Ka nisur me mbi një orë vonesë seanca për formimin e Qeverisë.
Disa nga deputetët janë mbledhur që nga ora 11.
Para hyrjes, deputetët e opozitës janë shprehur pesimistë që Kurti i ka votat për formimin e Qeverisë.
Kinolli: Kemi arritur marrëveshje me LVV-në
Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kinolli deklaroi se e kanë përzgjedhur kandidatin për ministër nga partia e tij.
“Ne kandidatin e kemi këtu për ministër. Besoj që do të reflektojë dikush. Me rëndësi që institucionet të formohen. Jemi të gatshëm që me i pranu përgjegjësitë”, tha ai para seancës.
Berisha: Jemi kontaktuar nga Kurti, s’do të jemi bllokues
Deputeti nga komuniteti joshumicë Veton Berisha, ka thënë se është kontaktuar nga mandatari për kryeministër Albin Kurti, gjatë së shtunës.
Ai nuk ka treguar nëse kanë folur për ndonjë pozitë specifike, porse ka shtuar se nuk do të jenë bllokues.
“Kemi diskutuar por të shohim sot propozimet si janë. Kemi pas mbrëmë kontakt, kemi taku kryeministrin, ta shohim sot se si është situata. Nuk jemi bllokues asnjëherë[“, ka thënë ai.
Haradinaj: Zgjidhja e vetme – zgjedhjet
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se epilogu i seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë “Kurti 3” do të jetë dështim.
Ai tha se e vetmja zgjidhje, mbeten zgjedhjet.
“Po shihet që epilogu i ditës sotme do të jetë dështim. Zgjidhja e vetme me sa kuptojë mbetën zgjedhjet sepse nuk ka ndonjë ofertë”, tha Haradinaj nga holli i Kuvendit.
Limaj: Qëndrimet i kemi publike, s’na ka kontaktuar Kurti
Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka thënë se qëndrimet i kanë publike dhe ato nuk kanë ndryshuar duke lënë të nënkuptohet se nuk do ta votojë Qeverinë Kurti III.
Ai ka thënë se nuk është kontaktuar orëve të fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Qëndrimet i kemi publike, jo nuk na kanë kontaktuar”, ka thënë shkurt Limaj.
Haradinaj: Do të tentohet votimi i fshehtë
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur para mediave duke hyrë në Kuvendin e Kosovës për seancën e sotme të qeverisë së re. Teksa është pesimist se Kurti mund t’i ketë numrat për formimin e qeverisë, Haradinaj tha se do të tentohet edhe për votim të fshehtë.
“Duket që nuk jemi një qeveri programore që e kërkon Kosova por më shumë do të ketë qeveri të pazareve sesa programore, për këtë arsye jemi në këtë gjendje. Nëse kanë arritur gjatë natës pazare individuale ajo mbetet të shihet por mesa kam informacione do të tentohet një votim i fshehtë për shkak të ndonjë kontrabande individuale të deputetëve”, ka deklaruar Haradinaj.
Tahiri i bindur që Kurti nuk i ka votat
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri para fillimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se është i bindur që mandatari Albin Kurti nuk i ka votat.
Ai u ka thënë mediave se pas dështimit të sotëm të Kurtit, të gjithë duhet të respektojnë procedurat, por nëse PDK-do të tentojë të bëjë qeverinë, kjo mbetet për t’u vendosur në të ardhmen./ksp
Para nisjes së seancës, Sveçla uron për Qeverinë “Kurti 3”
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ka lënë të kuptohet se i kanë numrat për formimin e qeverisë sot.
Kjo pasi para mediave ai e bëri “për hajr” Qeverinë.
“Për hajër ju koftë Kurti 3”, tha Sveçla.
Megjithatë, Sveçla nuk dha më shumë detaje.
Paraprakisht, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje. E sipas Muratit nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.
“Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.
Por kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para se të filloj seanca tha se një njëri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë politike, e jo ta linte ditën e fundit.
Ai ka thënë se “punët e mira nuk lihen ditën e fundit” dhe se “sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor”.
Gashi: Kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk e beson që dikush jashtë vullnetit të partisë do të votojë për formimin e Qeverisë.
Ai ka thënë se është çështje delikate votimi i Qeverisë pa marrëveshje politike paraprake.
“Unë kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore. Partitë politike pas ditës së sotme nëse dështon qeveria të shohim, a do të shkojmë në zgjedhje a të bëhet një qeveri e përkohshme që të kalojë buxheti ose ndonjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Abdixhiku: Punët e mira nuk lihen ditën e fundit, sot bie perdja e mashtrimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot nuk votohet një ligj i zakonshëm, por mandatari duhet të prezantojë shumicën.
Sipas tij, një njëri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë politike, e jo ta linte ditën e fundit.
Ai ka thënë se “punët e mira nuk lihen ditën e fundit” dhe se “sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor”.
Ka shtuar se ditën e fundit, është show populist.
“Deputetët e LDK-së janë të lirë të votojnë si të duan por kanë deklaruar se pa marrëveshje politike nuk ka kuptim të jetë shumica. Duhet të ketë mazhorancë që për katër vite të udhëheqë Qeverinë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk ka arritur të bëjë shumicë.
Murati: Shkuarja në zgjedhje rrezikon shumë procese, sot të shikohet interesi shtetëror
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje.
Në një status në Facebook, Murati ka shkruar se nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.
“Në seancën e sotme janë dy mundësi, ose do të kemi Qeveri Kurti 3 ose vendi do të shkojë edhe njëherë në zgjedhje duke rrezikuar shumë procese si Buxheti, Plani i Rritjes i BE-së, funksionimi i institucioneve të pavarura etj. Opsioni i dëshiruar për ne natyrisht që është opsioni i parë. Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.
Murati ka thënë se uron që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik te secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash.
Matet Kurti
Albin Kurti do ta paraqesë para deputetëve të dielën, përbërjen e kabinetit qeveritar që synon ta ndërtojë, e edhe programin e qeverisë. Por, është mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë, pa e siguruar paraprakisht shumicën.
Lëvizjes Vetëvendosje së cilës i prin Kurti, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të Qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.
Një ditë para mbajtjes së seancës për formimin e Qeverisë së re, mandatari për kryeministër nuk ka treguar nëse i ka siguruar votat shumicën e votave në Kuvendin që përbëhet prej 120 deputetësh. Pas një aktiviteti që ka zhvilluar gjatë ditës, ai është pyetur nga gazetarët për marrëveshje të mundshme koalicioni, por nuk është përgjigjur.
Seanca plenare është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00.
Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për kah fuqia e votës, Partinë Demokratike (PDK), dhe e lënë derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Nismën Socialdemokrate.
Por, në LDK e kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi. E këtë e ka konfirmuar sërish të shtunën deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.
“Mua nuk më ka kontaktuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa anëtarët e tjerë të partisë nuk i kam pyetur. Por qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar”, ka thënë Bajrami, një prej kritikeve më të mëdha të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
E, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ka konfirmuar këtë javë se nuk do të votojë për Qeverinë Kurti 3. Ai ka qenë ndër politikanët që ka negociuar me Kurtin për marrëveshje koalicioni, por sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kërkesa e tij ka qenë e papranueshme. Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë në këtë legjislaturë, nuk ka kërkuar hise në qeveri, por vetëm postin e kryeparlamentarit. Ndërkaq, Vetëvendosja ia ka ofruar atë të nënkryetarit të Kuvendit dhe dy pozita zëvendësministri.
Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën. Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese.
Për vështirësi në formimin e Qeverisë, Kurti ka folur më herët në një tubim me diasporën në Londër.
“Këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar. Nuk është e lehtë sepse nuk di se si tu shpjegoj... Pak e keni ndje dhe ju vet por është intosikuar atmosfera. Ka shumë xhelozi e inate, më shumë se ide, punë e pasion, por jemi ku jemi tash këtu. Do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë, por si duket alternativa do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë ai.
Por, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se problemi qëndron tek Vetëvendosja, së cilës subjektet e tjera ngurrojnë t’i bashkohen në qeverisje.
“Më duket që Kurti ose po e bën qëllimshëm, ose e ka humbur kuptimin pse qëndron aty. Qe 10 muaj diskutojmë a janë numrat, a s’janë”, ka thënë ai.
Kushtetuta parasheh që në rast se përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën, atëherë presidenti duhet që brenda dhjetë ditësh ta emërojë një mandatar të dytë. Bazuar në aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, caktohet mandatari nga cilado parti që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend. Por, edhe partitë oponente të Vetëvendosjes, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë shprehur qëndrimin se nuk kanë vota dhe nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën, për ta lënë jashtë qeverisë LVV-në.
Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe, ka paralajmëruar se do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, në rast se formimi i qeverisë dështon të dielën.
“Nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, ka thënë Osmani.
Edhe mandatari i dytë, në rast të emërimit, do t’i ketë 15 ditë kohë për t’ia propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj. Nëse as kjo përpjekje nuk rezulton me sukses, presidenti shpall zgjedhje të reja të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes.
Dinamika politike mund të ndikohet edhe nga një vendim eventual i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ankesën e Listës Serbe për moszgjedhjen e asnjërit prej 9 deputetëve të saj nënkryetar Kuvendi. Në rast se deri të dielën Kushtetuesja vendos masë të përkohshme, Kuvendi nuk mund të marrë veprime në funksion të formimit të qeverisë.
Shkaku i dallimeve politike, edhe konstituimi i Kuvendit është bërë tek para dy javësh, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur në fillim të shkurtit.