Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka thënë se gjykata ka konsultuar mbrojtjet e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut e Hajredin Kuçit për mbajtjen e seancës më 28 nëntor.
Në një përgjigje për Kohën, ai ka theksuar se nuk ka pasur kundërshti për mbajtjen e kësaj seance në ditën kur shënohet festa e flamurit.
“Po të dyja palët janë konsultuar, siç edhe është praktikë, për disponueshmërinë e mbajtjes së seancës në këtë ditë. Duke marrë parasysh që palët e kanë konfirmuar gatishmërinë dhe nuk kanë ngritur ndonjë kundërshtim, seanca është caktuar në këtë datë”, ka thënë ai.
Në bazë të kalendarit të gjykatës kjo seancë është konferencë përgatitore për gjykimin e Thaçit, Smakajt, Fazliut e Kuçit lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.