Arbëri

Salihu: PDK-ja mund t’i shkojë në tavolinë VV-së me dy koalicione

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund t’i shkojë në tavolinë me marrëveshje bashkëpunimi Lëvizjes Vetëvendosje (VV), si në nivel qendror ashtu edhe në kryeqytet, në prag të balotazhit.

Në Prishtinë, kandidati i VV-së, Hajrulla Çeku, do të jetë në balotazh me kryetarin aktual dhe kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Ramën.

Në një intervistë në “Interaktiv”, Salihu u shpreh se megjithëse PDK-ja tradicionalisht nuk e bën publike qëndrimin për balotazhet, ajo brenda strukturave të partisë e përcakton fituesin. Ai vlerësoi se pas këtyre zgjedhjeve, partia e udhëhequr nga Memli Krasniqi mund të kërkojë bashkëpunim me Vetëvendosjen.

“PDK-ja ka përcaktuar fituesin nga 2013-a e tutje në Prishtinë. Unë gjykoj që PDK-ja mund t’i shkojë në tavolinë VV-së me dy koalicione, edhe në nivel qendror, edhe në kryeqytet. Kjo i konvenon PDK-së për t’u konsoliduar si subjekt politik”, ka thënë Salihu, duke shtuar se “nëse VV-ja tregohet kokëforte, atëherë rezultati nuk do të jetë në favor të saj.”

Ai ka thënë se Vetëvendosja tashmë e ka kuptuar se “kokëfortësia shpeshherë i është kthyer në disfavor”, ndërsa pozicionimi i PDK-së pritet të bëhet vetëm pas një marrëveshjeje paraprake.

“Kush do të jetë më tërheqëse, LDK-ja apo VV-ja, mbetet të shihet. Përcaktuese për Prishtinën do të jenë koalicionet, qoftë të fshehta. PDK-ja do të jetë ‘kingmaker’ ”, theksoi ai.

Salihu lavdëroi punën dhe qasjen e kandidatit të PDK-së për Prishtinën, Uran Ismaili, që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e ndjeshme të votës për këtë parti në kryeqytet.

“Puna, qasja dhe programi i Uran Ismailit kanë bërë që ta maksimizojë votën e PDK-së në Prishtinë. Mesatarja e votave që ka pasur PDK-ja në Prishtinë është 16 mijë, e tash po flasim për dyfishim, dhe kjo është falë Uranit e jo PDK-së”, ka thënë ai.

Salihu theksoi gjithashtu se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të rregullt, por rezultatet mund të sjellin befasi. Sipas tij, trendi i rritjes së Vetëvendosjes është evident në disa komuna.

“Gjilani me gjasë do të kalojë pa balotazh, pasi i kemi 3 mijë vota me kusht dhe të diasporës që do të numërohen. Vetëvendosja, përveç në Gjilan, është subjekt që mund të dalë fitues edhe në Kaçanik, Fushë-Kosovë, Obiliq e në kryeqytet”, u shpreh ai.

Sa i përket komunave të tjera, Salihu ka thënë se PDK-ja ka gjasa të mëdha të fitojë në Prizren e Vushtrri, teksa test i vërtetë do të jetë Mitrovica, ndërsa LDK-ja pritet të qëndrojë më fort në Pejë, Dragash, Viti dhe Junik.

“Do të ishte befasi nëse Gjakova humbet nga AAK-ja. AAK-ja është favorite edhe në Rahovec, Klinë e Suharekë”, përfundoi Salihu.