Arbëri

Salihu: Fajtorë për buxhetin e Prishtinës janë të dyja palët, problemi filloi nga vonesat e komunës

Bekim Salihu

Bekim Salihu nga instituti GAP, ka thënë se situata në të cilën gjendet vendi është e rëndë. Sa i përket buxhetit të kryeqytetit, Salihu ka deklaruar se faji qëndron te të dyja palët, edhe te Komuna e Prishtinës edhe te Ministria e Financave.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Salihu tha se megjithatë ky problem me buxhetin, ka nisur nga Kuvendi Komunal i kryeqytetit duke mos e miratuar me kohë buxhetin por edhe duke e mosmiratuar në formën në të cilën obligohesh kur je jashtë afatit.

“Problemi ka nisur nga niveli komunal. Fillimisht përplasja LDK-LVV-PDK në Kuvendin Komunal e ka prodhuar këtë situatë. Përkatësisht LVV-ja dhe PDK-ja u pozicionuan në një tabor. LDK-ja në taborin tjetër dhe nuk kanë arritur ta miratojnë buxhetin komunal me kohë. Problemi i parë ka filluar aty duke mos u miratuar buxheti deri më datën 30 shtator të vitit 2024 për vitin 2025. Problem i dytë ka nisur te miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës më 9 dhjetor. Kur e ka miratuar buxhetin nuk e ka miratuar sipas ligjit që specifikon që të takon buxheti i vitit përkatës dhe jo i vitit të ardhshëm. Për shkak që në momentin që nuk e miraton buxhetin deri më 30 shtator ti e humb shumën e buxhetit për vitin e ardhshëm. Komuna e Prishtinës në vend që ta miratoj buxhetin me humbje e kanë miratuar me rritje për vitin 2025 dhe tash ajo rritje do të duhej të kalonte me miratim në Qeveri dhe në Kuvend të Kosovës”, deklaroi Salihu.

Tutje Salihu tha se as Ministria e Financave nuk e ka përmbushur shpejtësinë që e thotë ligji në rastet kur duhet të miratohet buxheti i një komune, në këtë rast i Prishtinës.

“Ministria e Financave duket se e ka marrë buxhetin më 17 dhjetor dhe e ka miratuar më 31 janar. Lë të kuptohet se Ministria e Financave nuk e ka përmbushur shpejtësinë që thotë ligji sepse ligji thotë që menjëherë duhet të shkojë në Qeveri dhe menjëherë pastaj të shkojë në Kuvend. Ndërkohë më 11 janar është shpërbërë Kuvendi i Kosovës. Por, ky nuk ka qenë Kuvend i shpërbërë por Kuvend me mandat të skaduar, çka i ka dhënë edhe një muaj afat për miratim”, deklaroi Salihu.

Sa i përket të hollave që Ministria e Financave i lëshoi gjatë së premtes, Salihu e quajti risi sepse u ekzekutuan dy këste dhe rrjedhimisht nuk ka më këste për Komunën e Prishtinës.

“Ajo çka m’u duk befasi e risi është kësti që iu lëshua të premten Komunës së Prishtinës është kësti i fundit. Ministria e Financave ekzekutoi dy këste dhe kjo nënkupton që nuk ka më këste për Komunën e Prishtinës. Pra, jo sa i përket të hyrave vetanake por buxhetit, janë çështje të ndara”, deklaroi Salihu. 

Shumë të çuditshme, Salihu i Institutit GAP e quajti situatën financiare në të cilën ndodhet Komuna e Prishtinës. Ai tha se borxhet i shkojnë deri në 16 milionë euro ndaj përmbaruesit dhe sipas tij 10 milionë eurot e ndara nga Ministria e Financave mund t’ia marrë automatikisht përmbaruesi dhe pastaj nuk do të ketë mundësi të paguhen shërbimet në të cilat detyrohet.