Arbëri

Salihu: Vetëm në shkurt përmbaruesit i kanë fituar 10 mln euro nga lëndët e mësimdhënësve

Bekim Salihu

Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, ka thënë se vetëm në shkurt të këtij viti përmbaruesit janë paguar 10 milionë euro nga lëndët që kanë të bëjnë me kontrata kolektive të mësimdhënësve. 

Salihu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se vendimet për kontratat kolektive janë marrë nga pushtetet e kaluara, porse pasojat vazhdojnë të prodhohen. 

“Vitin 2023 tre mësimdhënës i janë drejtuar Gjykatës Supreme duke pyetur nëse një vendim që ka marrë në vitin 2008 Qeveria Thaçi për kompensim të mësimdhënësve bazuar në kualifikim është valid. Supremja ka vendosur se ai vendim është valid dhe nga atëherë janë dërguar dhjetëra e dhjetëra raste në gjykata nga mësimdhënësit. Gjykatat vendosin për kualifikim, përveç shujtave, pagave jubilare, pagave suplementare, transportit, inflacionit e kështu me radhë. Vetëm në shkurt të këtij viti, Ministrisë së Financave i kanë shkuar 38 milionë euro vendime gjyqësore e përmbarimore për ekzekutim. Nga to 28 milionë euro iu dedikohen mësimdhënësve dhe 10 milionë euro përmbaruesve”, ka thënë Salihu. 

Ai ka shtuar se Qeveria mund të marrë një vendim që të krijohet një fond nga i cili do të paguheshin këto para. Po ashtu ka thënë se mund të shkohet edhe në forma të negocimit e të evitohen përmbarimet.

 


Salihu: Komunat kanë 208 milionë euro borxhe, vetëm Prishtina mbi 80 mln

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka thënë se komunat në Kosovë kanë në total 208 milionë euro, e prej tyre 80 milionë euro i ka vetëm Prishtina. 

Salihu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se me borxhe të tilla, komunat i ekspozohen një falimentimi funksional. 

“Këto borxhe nuk tjetërsohen apo nuk largohen me ardhjen e një mandati të ri, kryetari të ri. Vlejnë njësoj. Kjo do t’i pamundësojë kryetarëve të ardhshëm të bëjnë diçka konkrete në komunat e tyre...Komunat më 2024, një numër i konsiderueshëm i tyre, më tepër kanë bërë shpenzime për vendime përmbarimore gjyqësore, sesa që kanë pasur investime kapitale. Një numër i madh i komunave tjera, më tepër kanë pasur shpenzime përmbarimore gjyqësore, sesa të hyra totale vetanake. Është gjendje që lë me kuptu se komunat po i ekspozohen një lloj falimentimi funksional, pasi falimentim real nuk lejon ligji. Kjo nënkupton se komuna e ka të pamundur të kryejë shërbime e me bë investime. Paratë shkojnë diku tjetër”, ka thënë Salihu.


Salihu: Dy palë zgjedhje njëherësh do t’i shkonin për shtati Vetëvendosjes

Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, ka vlerësuar se shkuarja në zgjedhje të përnjëhershme – ato lokale dhe ato qendrore – do t’i shkonte për shtati partisë më të madhe në zgjedhjet qendrore – Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Salihut, Vetëvendosjes do t’i konvenonin zgjedhjet e reja parlamentare edhe gjatë verës.

“Lëvizjes Vetëvendosje i përshtaten dy opsionet - që të shkohet në zgjedhje në pikun e verës, kur është diaspora këtu, sipas gjykimit dhe perceptimit të tyre. Por, edhe ai i dy zgjedhjeve të përnjëhershme – për shkak se gjykojnë që mund të jetë mënyrë për të fituar më shumë komuna”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.

Salihu ka thënë se partive që deri në zgjedhjet e shkuara ishin në opozitë në parlament, nuk do t’u konvenonte organizimi i dy palë zgjedhjeve përnjëherësh.

“Shumicën e komunave i kanë partitë opozitare, por nga votat dhe fryma në zgjedhjet kombëtare prin VV-ja edhe në komunat që udhëhiqen nga opozitarët. Kjo mund të jetë indikacion për partinë në pushtet, se qytetarët do ta marrin fletën për zgjedhjet nacionale e të njëjtën logjikë do ta ndjekin edhe në zgjedhjet lokale”, ka thënë ai.

Salihu, megjithatë, ka vlerësuar se organizimi i zgjedhjeve në të njëjtën kohë nuk do të ishte i dobishëm dhe as i duhur. Ai ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve s’i ka kapacitetet për një gjë të tillë.

Ky propozim u përmend një ditë më parë nga zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, pas ngërçit të shkaktuar në Kuvend që nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Në 27 seanca, deputetët nuk kanë konstituuar legjislaturën e re. Fillimisht emri i propozuar nga VV-ja, Albulena Haxhiu, nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare e më vonë e deri tash nuk ka marrë mbështetje as formimi i komisionit për votim të fshehtë.

Për të shkuar në zgjedhje të reja, megjithatë, duhet konstituim dhe shpërndarje e Kuvendit.