Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Salihaj: Vlimi në LDK ka nisur më herët, e defaktorizon në procesin e formimit të institucioneve

Adem Salihaj

Adem Salihaj, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk është momenti i përshtatshëm që kjo parti po përballet me përçarje të brendshme.

Në LDK ka nisur një proces i mbledhjes së nënshkrimeve për të ftuar Kuvendin për të iniciuar shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku pas dështimit në zgjedhjen e 7 qershorit, kur LDK-ja sërish doli e treta. Disa degë publikisht i kanë kërkuar Abdixhikut dorëheqjen, ndërsa ai ka refuzuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E sipas Salihajt, vlimi në parti ka nisur më herët e tash vetëm ka përshkallëzuar. Në “Konfront” të KTV-së, të martën Salihaj ka thënë se kjo e defaktorizon LDK-në në negociatat e mundshme për formim institucionesh.

“Padyshim që momenti nuk është aspak i përshtatshëm. Nuk do të duhej të ndodhnin tash këto, sepse jemi në fazën e formimit të institucioneve dhe LDK-ja do të duhej të ishte faktor i rëndësishëm edhe në këtë proces. Por këto vlime kanë filluar më herët dhe tash kanë eskaluar në një fazë tjetër, dhe për fat të keq janë shumë të rrezikshme për LDK-në. Ato e defaktorizojnë edhe në procesin e formimit të institucioneve sepse VV-ja siç dihet tradicionalisht e ka konsideruar LDK-në si partner të mundshëm dhe në këtë situatë e ka të vështirë me këto ndarje të ketë unitet e të marrë vendim për koalicion eventual me VV-në. Momenti shumë i papërshtatshëm, por këto probleme nuk pyesin për momente”, ka thënë ai.

Salihaj ka thënë se në LDK ka pasur gjithmonë ndikime, duke përmendur edhe kur ishte gjallë ish-presidenti Ibrahim Rugova, kur më 2004 u arrit koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas tij, atëherë ka pasur ndikime brenda LDK-së për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, por që ishte Rugova që kishte vendosur për koalicion me AAK-në.

Salihaj: Pakënaqësia në LDK ndaj Abdixhikut u rrit me rikthimin e Osmanit 

Ish-zëvendëskryeministri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka vlerësuar se pakënaqësitë ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku janë rritur pas rikthimit të Vjosa Osmanit në listën e partisë.

Ai ka thënë se të pakënaqurit me Abdixhikun “e kanë konsideruar jo të denjë që të favorizohej Osmani si numri 1 i listës, pasi sipas tyre ajo e ka dëmtuar partinë në të kaluarën”.

Në “Konfront” të KTV-së, Salihaj ka thënë se Osmani nga kundërshtarët e Abdixhikut shihet edhe si rrezik që nëse largohet Abdixhiku mos ajo mund të kandidojë për presidente.


Muhaxhiri: LDK-ja në gjendje katastrofale, Abdixhiku arrogant

Analisti politik Artan Muhaxhiri ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë në gjendje katastrofale, ndërsa ka thënë se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, është arrogant.

Në emisionin “Konfront” të KTV-së, Muhaxhiri u shpreh se votëbesimit që i shpëtoi Abdixhiku në Kuvendi Zgjedhor të partisë në janar ishte i ngushtë, prandaj e cilësoi si “rezultat negativ”.

Ideja, sipas Muhaxhirit, është se si lidershipi i LDK-së po pajtohet me 12-13 për qind.

“Abdixhiku po dëshiron ta prezantojë situatën si sukses, nuk po korrigjohet, po vazhdon me të vjetrën. Natyrisht që LDK-ja është partia më e vjetër në skenën politike si parti shtetformuese dhe s’mundet asnjë person që ta bllokojë në këto nivele. Gjendja është katastrofale. Ke komunë të madhe me vlerë njëshifrore. Abdixhiku po sillet me lloj qasje triumfaliste”, u shpreh analisti.

Muhaxhiri e quajti “arrogant” Abdixhiku, duke theksuar se s’po bëjnë asgjë normale.

Ai ka propozuar që kryetari i LDK-së t’i ftojë në takim të pakënaqurit dhe kushdo që publikisht e ka kritikuar.


Koci: Përçarja mund ta ndajë në dysh LDK-në

Analisti Melazim Koci ka thënë se përcarja brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të thellohet, teksa ka paralajmëruar se një gjë e tillë do të conte edhe në ndarje të partisë.

Sipas tij, një pjesë e elitës së LDK-së është ngutur në raport me mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje, edhe pse nga kjo e fundit nuk kishte ofertë bashkëpunimi.

Koci ka theksuar se ndarja e LDK-së do t’i konventonte më së shumti LVV-së.

“Menjëherë pas zgjedhjeve, një pjesë e elitës së LDK-së u ngut pak, thua se u ofrua te VV-ja, ta zëmë Haziri doli me emra Abdixhiku, pastaj veten e më vonë Osmani. Paraqitjet e tilla kanë qenë kundërproduktive, të ngutshme sepse nuk kishte ende ofertë nga VV. Atë e kuptova si përpjekje e atij krahu që ta shpejtojë procesin për të mos u ballafaquar me këtë që tani janë duke u ballafaquar. Druaj se kjo përçarje do të thellohet, që mund të ndahet në dysh dhe ky nuk do të ishte lajm i mirë për Kosovën”, ka thënë ai.

E sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, Koci ka thënë se mundësia e vetme është që opozita e bashkuar të dalë me emra dhe me marrëveshje me LVV-në të zgjedhjet një prej emrave të tyre.

“Më të mundshme e shoh bashkimin e opozitës, daljen e tyre me 1-2-3 kandidatë dhe t’ia ofrojnë VV-së, t’i thonë ‘për 53 mandate që keni, keni marrë qeverinë dhe kryeparlamentarin, mendojmë që ne si opozitë të propozojmë 2-3 emra’, dhe me një marrëveshje me VV-në të zgjedhet presidenti. Zgjidhje tjetër nuk ka. Nëse kjo nuk është e munduar, Kosova shkon në zgjedhje tjera”.