Arbëri

Sadiku: Partitë po bëjnë kalkulime për zgjedhjet lokale

Pas ngërçit në konstituimin e Kuvendit, nuk qëndron vetëm mungesa e gatishmërisë për kompromis dhe paaftësia e subjekteve për dialog politik, ka thënë analisti Arbnor Sadiku. Sipas tij, bllokada mund të jetë e kalkuluar, për të prodhuar zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin me ato lokale.

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës është produkt i kalkulimit të partive për zgjedhjet lokale të cilat mbahen kah fundi i këtij viti, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.

I ftuar në “Specialen” e KTV-së për vazhdimin e 17-të të seancës konstituive, ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje mund të kalkulojë që me lokalet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.

“Lëvizja Vetëvendosje si duket nuk ka asgjë me urgjencë dhe është e interesuar të vazhdojë kësisoj për faktin që i ka levat e pushtetit në dorë dhe nuk i ngutet asgjë, kurse opozita është e fokusuar tashmë në zgjedhjet lokale dhe ka filluar përgatitjen e kandidaturave për kryetarë komunash dhe siç po shihet jemi në një skenar ku praktikisht Lëvizja Vetëvendosje do ta zvarrisë situatën për aq sa është e mundur dhe kësisoj kur të vijmë te zgjedhjet lokale mund të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Sadiku.

Sipas Sadikut, historia ka treguar se në mungesë të vullnetit politik për të dalë nga bllokada, presioni ndërkombëtar për zgjidhje ka qenë shpesh faktor vendimtar.

“Po të na liheshin neve nuk do të dinim dhe nuk do të donim t’i bënim, siç po ndodh aktualisht. Fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës po duket sikurse sokaku i të marrëve në romanin e Kadaresë ku njerëzit që kalojnë andej janë vërtet të marrë dhe kuvendin e kanë shndërruar në të tillë, ku nuk ka asnjë zgjidhje politike për zhbllokim të situatës”, u shpreh ai.

Në mungesë të zgjidhjes, presidentja Vjosa Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. E në këtë gjykatë, ditë më parë e ka deponuar një kërkesë AAK-ja.