Arbëri

Rudari thur poezi për kundërkandidatët e tij

Kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se gjatë kësaj fushate ka filluar të shkruajë edhe poezi për t’i portretizuar kundërkandidatët e tij.

“LDK-ja është parti e shtetndërtimit e dy të tjerat janë parti të shtetshkatërrimit, zhvatjes e krimit. Në këtë fushatë kam nisur të thur poezi, se kundërkandidatët i kam si mos më zi...LDK është e popullit dhe për popullin...Nuk e kam edhe shumë vështirë të vazhdoj me punë të mira që i ka nisur Agim Veliu, si me rrugë, ndriçim, kanalizim...Ne do të vazhdojmë me ndonjë rrugicë që banorët të mos kenë asnjë dyshim të jetojnë në Bradash, Dobratin e Bajçinë”, ka deklaruar Nexhmi Rudari në tubimin që është mbajtur në shkollën e fshatit Bradash.

“Për 2020-n tanimë e kemi të miratuar buxhetin dhe projektet do të realizohen një nga një. Me premtimet që i kam marrë nga ministrat e LDK-së, buxheti për Podujevën do të shumëfishohet. I kemi më pak se dy vjet për t’i përmbushur të gjitha premtimet që i kemi bërë në zgjedhjet e vitit 2017. Këto zgjedhje që po ndodhin janë referendum për LDK-në, të dielën do t’ua tregojnë vendin...Do t’i rikthejmë edhe Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn”, deklaroi më tej Rudari.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës ka thënë se nëse e merr besimin e qytetarëve, dera e tij si kryetar do të jetë e hapur për qytetarët.

“Siç tha ditë më parë Agim Veliu, na kanë hidhëru keq dhe kemi me i mujt rrast... Unë ju garantoj dhe premtoj se do të jem kryetar i urtë dhe i hapur, dyert do të jenë të hapura dhe secili qytetar, pavarësisht se a është votues i LDK-së, do të marrë shërbime të mira komunale”, është shprehur Rudari.

Ndërsa, ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka thënë për vendlindjen e tij (Bradashin) se është prej bastioneve më të mëdha të LDK-së dhe, sipas tij, kështu do të mbetet.

“Mos votoni majtas, sepse ata janë duke e rrezikuar miqësinë tonë me Amerikën. Ne nuk do t'i lejojmë, sepse për disa gjëra, të cilat ju besoj se i dini, u dashtë që të hyj në Qeveri. Nuk kemi kohë për balotazhe ne. Kundërkandidatët që i ka Nexhi janë të papërgatitur, të pabesueshëm dhe nuk ka njerëz që çojnë përpara diçka. Janë hileqarë. Dhe njëri prej tyre ishte deri vonë me ne dhe ai i ka ba dëm vendit që të rinjtë tonë i ka lënë pa viza dhe një dëm që ia ka bërë buxhetit 320 mijë euro”, ka thënë ai.