Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rudari: Paraburgimi të mos përdoret si ndëshkim për ata që s’e pranojnë fajësinë

Naim Rudari

Nënkryetari i Odës së Avokatëve, Naim Rudari, ka thënë se të përditshme janë rastet kur caktohet masë e paraburgimit pa ndonjë bazë. Ai ka kërkuar që gjykata të mos e caktoj me aq lehtësi këtë masë e cila në fakt kufizon lirinë e një qytetari akoma pa u zhvilluar procedura.

Rudari në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka kërkuar edhe që paraburgimi të mos përdoret si ndëshkim ndaj atyre që e nuk e pranojnë fajësinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ne nuk themi që asnjë person të mos shkoj në paraburgim por gjykata do të duhej të mos e caktojë me aq lehtësi. Paraburgimi po ashtu të mos përdoret si sanksion para penal, të mos përdoret si ndëshkim ndaj atyre që nuk e pranojnë fajësinë. Jo që nuk ka e janë të rrallë, por janë shumë shumë të shpeshta, madje të përditshme. Sot kemi pranuar vendim që prokuroria kërkon të pranohet fajësia që të ndërprehet masa e paraburgimit dhe gjykata i përfillë kërkesat e prokurorisë dhe u ndërprenë paraburgimin vetëm atyre që e pranojnë fajësinë”, është shprehur Rudari.

Rudari ka deklaruar po ashtu se gjykata po i aprovon kërkesat e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit duke menduar se do të sigurohen prova.

“Prokuroria në mungesë provash shpeshherë kërkon caktim paraburgimi dhe vazhdim paraburgimi dhe gjykata fatkeqësisht duke menduar se prokuroria do të ketë prova e cakton mbi këtë bazë paraburgimin. Gjykata do të duhej të kërkonte prova konkrete dhe të mos e vazhdoj paraburgimin në rrethana të njëjta. Nëse prokuroria thotë se ekziston rreziku i ndikimit në prova, prokuroria në një kohë tjetër i siguron provat dhe nuk ekziston më ai kusht ligjor, ai kusht zbehet dhe venitet. Gjykata nuk duhet t’ia aprovoj për kushte të njëjta këtë masë”, ka thënë Rudari.

Nënkryetari i Odës së Avokatëve ka treguar po ashtu se ka raste kur mbahet kot edhe seanca fillestare sepse masa e paraburgimit është caktuar akoma pa u mbajtur seanca. Si e tillë sipas Rudarit, nuk ka bazë ligjore.

“Pika e parë kur prokuroria të parashtrojë kërkesë për masën e paraburgimit duhet të njoftohet me kohë dhe të përgatitet me kohë për seancën. Ka raste kur seanca fillestare dëgjimore për caktimin e paraburgimit mbahet kot sepse vendimi për caktimin e masës së paraburgimit është i shkruar para se të mbahet seanca. Pra ne me përfundimin e seancës e marrim vendimin për caktimin e masës së paraburgimit. Kjo nuk ka bazë ligjore”, ka deklaruar Rudari në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.

Në një reagim të Odës dërguar mediave thuhet se Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe të detyrueshme për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht pasi siç theksohet, bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Ndaj kësaj akuze të Odës së Avokatëve, kanë reaguar sot Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit. Gjykata e Apelit ka thënë se këto raste trajtohen me superprioritet dhe urgjencë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale (KPP) dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ndërsa, Supremja është shprehur se kjo nuk është e vërtetë dhe e ka ftuar Odën e Avokatëve që në rast se po i referohen ndonjë rasti konkret t’i adresojë të dhënat te kryetari i Gjykatës.