Arbëri

Rudari fajëson Bulliqin për mosliberalizimin e vizave

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, e ka fajësuar ish-bashkëpartiakun e tij, Shpejtim Bulliqin, për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai në tubimin e mbajtur në shkollën e fshatit Shtedim, ka thënë se do t’i mposhtin rivalët politikë të dielën e ardhshme.

“Me një atllas e me një metër në dorë, na bëri horë e na i zhvati mbi 300 mijë euro. Llapi sot fitoi 2 me 1. Sot një javë Llapi do të fitojë 8 me 2, kemi me i mposhtë. T'ua tregojmë vendin secilit”, kështu e nisi fjalimin e tij, Nexhmi Rudari.

Ai të dielën nuk ka folur shumë për projekte, pasi ka thënë se ato tashmë janë miratuar në buxhetin e këtij viti, raporton KOHA.

“Sot nuk e kam ndërmend me e shpalosë programin. Programi i jonë është miratuar para 2 vitesh dhe do të realizohet. Ky program do ta ketë përkrahjen e ministrave të LDK-së në Qeveri. Premtimet i kam që pjesa e LDK-së e Qeverisë do të na përkrah me projekte. Lumir Abdixhiku bashkë me ministrin Veliu vizitën e parë e kanë bërë në Podujevë dhe ka premtime publike që pa u përfunduar rruga N25 Podujevë-Prishtinë nuk do të bëjnë projekte të reja, sepse kështu si është, është kurth për vdekje”, ka deklaruar Rudari.

E shumë më i ashpër me ish-zyrtarët e LDK-së që tashmë kanë kaluar në Vetëvendosje ka qenë kryetari i deritashëm i Podujevës, Agim Veliu.

Ai për ish-shefin e Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avni Fetahu, i cili ka aderuar në VV pas shpalljes së këtyre zgjedhjeve, ka thënë se familja e tij nuk kanë guxuar as të flasin shqip.

“Veprimet e njerëzve të tillë, janë veprime të ulëta, sepse në LDK janë bë dikush edhe i kanë realizuar interesat e veta. Prej tyre nuk duhet të pritet dhe nuk duhet t'u besohet. As ai e as familja e tij nuk kanë guxuar me vendos plisin dhe nuk kanë guxuar as me fol shqip”, është shprehur Veliu në Shtedim, vendlindje kjo e Avni Fetahut.

“Edhe po deshëm nuk kemi kë ta votojmë tjetër. Edhe pse kanë tituj, ju i vëreni në debate janë të padijshëm dhe të pakulturuar. Njëri prej tyre shumë arrogant, dhe fal angazhimit të tij të mbrapshtë sot të rinjtë e vendit janë pa viza. Unë nuk e di si ka me e mbrojt pronën e komunës, kur ai vetë e ka uzurpuar atë”, ka thënë ai.