Pavarësisht reagimit të ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si cenim të rendit juridik, deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka thënë se për veprimet politike do të pritet arsyetimi i plotë i aktgjykimit.
“Nuk na e ndalon diskutimin (vendimi)... për veprimet politike, mbetet të shihet arsyetimi i plotë”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Rrustemi, i cili ditë më herët kishte thënë se do ta respektonin vendimin e Kushtetueses, u shpreh se askush nuk e kishte pritur që gjykata do të shtonte “një paragraf të ri” në nenin 67, duke ndërhyrë, sipas tij, në Rregulloren e Kuvendit. Ai pyeti se cili nen është interpretuar që e kufizon deri në tre herë propozimin e një kandidati për kryetar Kuvendi.
“I ka marrë mandat që i takon Kuvendit me këtë kufizim që ka bërë për kandidatin, një devijim i tillë i rolit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese përbën rrezik për rendin kushtetues. Pikërisht pse është instanca e fundit, Kushtetuesja i ka dhënë komoditetin vetes të jetë arbitrare në interpretim”, ka shtuar ai.
Deputeti i VV-së u shpreh se i bindur se po të ishte njëri nga partitë tjera në pozicionin e tyre, ky vendim nuk do të dilte.
“Propozimi i kryesuesit për ta ndërruar mënyrën e votimit ka qenë përpjekje për të zhbllokuar situatën. Po të ishte një parti tjetër politike në pozicionin tonë, një vendim i tillë nuk do të dilte”, u shpreh ai.
Rrustemi shtoi se, nëse Gjykata Kushtetuese do t’i qëndronte aktgjykimit paraprak (26 qershorit), ajo duhej të konstatonte se deputetët kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin brenda afatit dhe të përcaktonte qartë pasojat për ta pas kalimit të 30 ditëve.
Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të propozohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.