Arbëri

Rruga në Prugoc, e nisur për të përmirësuar jetën e banorëve, është kthyer në rrezik për ta

Një rrugë në fshatin Prugoc është kthyer në rrezik të madh për banorët. Me kanal të hapur e pjesë të rrugës së vjetër që rrezikon të shembet, banorët ballafaqohen çdo ditë. Ata thonë se punimet është dashur të përfundonin vitin e shkuar, e për këtë vonesë, e kritikojnë Komunën e Prishtinës

Arianita Hoti

Kanal i thellë e i mbushur me ujë dhe rrugë e papërfunduar që rrezikon të shembet. 

Kjo është gjendja me të cilën përballen tash e sa muaj banorët e lagjes “Mëhalla pesë” e fshatit Prugoc të Prishtinës.

Banorët ankohen se kompania që ka fituar tenderin më shumë nuk punon sesa punon, teksa shprehin drojën për rrezikun që u paraqitet, sidomos fëmijëve.

Banori Selatin Pllashniku thotë se në këtë rrugë ka ndodhur edhe një aksident.

"Këtu ka ndodhur edhe ni rast ku njerëzit gjithë ditën janë kanë në punë me kamiona, e kur kanë ardhë në mbrëmje kanë ra në pusetë. Kjo rrugë është e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme për ne banorët", ka thënë Pllashniku.

Sipas tij, kjo rrugë moti është dashur të ishte e përfunduar.

“Rruga është dashur të përfundojë në vjeshtë”, ka thënë ai.

E banori tjetër Naser Dragusha u shpreh se kjo është një ndër rrugët më të frekuentuara në fshat, por që prej shtatë muajsh po rrezikon jetët e banorëve.

“Kjo rrugë ka filluar prej kohësh, tenderët merren e shfrytëzohen, kurse rruga mbetet e pakryer. Kjo është turp, para së gjithash për kryetarin. Kjo është rrugë që e përdorim çdo ditë, kemi nevojë të shkojmë te arat tona, por njerëzit nuk mund të kalojnë. Duhet të presësh më shumë se 30 minuta për ta kaluar. Kjo rrugë ka mundur të përfundohet që në vjeshtë. Ka një vit që ka filluar puna – një ditë vijnë, një javë s’vijnë, janë larguar krejt. E kanë lënë kështu. Mirëpo është e pamundur të kalohet, sepse është rrugë e pakalueshme. I kemi tokat tona, familjet tona. Komuna nuk dihet çfarë po bën. Njerëzit duan të kalojnë, por është e pamundur, sepse kanë fëmijët në shkolla. Jemi ankuar, mirëpo nuk kemi asnjë informacion se kur do të marrë fund kjo katastrofë”, ka deklaruar Dragusha.

KOHA ka nisur pyetje në Drejtorinë për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës më 11 qershor për problemet dhe pse punimet kanë stagnuar, por nuk ka marrë përgjigje.