Arbëri

Rrjedhja e kanalizimit i lë banorët e Dardanisë në Ferizaj pa punuar tokën qe 4 vjet

Telashe me ujëra të zeza, që kanë depërtuar mbi sipërfaqen e tokës, kanë tash e sa vjet banorët e fshatit Dardani të Komunës së Ferizajt. Krahas kundërmimit, ata thonë se s’po mund t’i punojnë as parcelat e tyre bujqësore. Në komunë ndërkaq pohojnë se në këtë fshat kanë ndërhyrë disa herë, tek e hedhin fajin te banorët, duke thënë se ata po hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit.

Telashe të shumta, krahas kundërmimit, po u shkaktojnë ujërat e zeza banorëve të fshatit Dardani në Ferizaj.

Tash e 4 vjet ata s’mund ta punojnë tokën, si pasojë e rrjedhjes së kanalizimit që ka shpërthyer mbi sipërfaqen e tokës.

Këto ujëra të zeza rrjedhin edhe nga disa fshatra të tjera, por kapaciteti i ngushtë i gypit kryesor sjell grumbullimin e tyre në disa lokacione të fshatit Dardani.

Banorët potencojnë se shumë familje, burim të vetëm i kanë të hyrat nga bujqësia.

Përfaqësuesi i këtij fshati, Fadil Halili, tregon se disa herë i është drejtuar zyrtarisht Komunës, por zgjidhje nuk ka pasur.

“Këto ujëra bëjnë shumë probleme, sidomos në fusha, ku diku rreth 50 hektarë janë nën ujë. E gjithë kjo është si pasojë e asaj se kanalizimi kur është bërë më herët, është bërë vetëm për nevojat e një pjese të fshatit Dardani, mirëpo në ndërkohë janë lëshuar ujërat e zeza edhe nga fshatrat Mirosalë dhe Sojevë”, ka thënë Halili.

Të pamundur ta punojë parcelën bujqësore e ka edhe Fazli Rrahmani.

“Kjo pjesa ku po shihet që është bllokuar kanalizimi diku rreth 30 apo 40 hektarë me livadhe që nuk punohen, s’kanë mundur të bëjnë zgjidhje deri tash. Kërkojmë që të rregullohet ose të rregullohet pjesa e re e kanalizimit. Kanë qenë zyrtarët komunalë disa herë, por s’kanë mundur të bëjnë asgjë, sepse është shumë ujë”, ka deklaruar ai.

E drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili, nëpërmjet telefonit ka thënë se në fshatin Dardani kanë ndërhyrë disa herë. Por, sipas tij, banorët po hedhin mbeturina në rrjetin e kanalizimit. Madje, ka potencuar se kanë gjetur edhe batanije në gypin kryesor.

“Katër vjet kemi intervenuar, minimum një 1 kilometër i kemi ndërruar sipas nevojës, përndryshe çdo herë që kemi kërkesa dalim në vend të ngjarjes, mund të ketë telashe edhe në Dardani, edhe në Greme. I kemi do vende që i kemi si prioritet me projekte, për t’i kryer dalëngadalë”, është shprehur Halili.

Drejtori Halili kërkon nga qytetarët të mos hedhin mbeturina dhe gjësende të ndaluara në rrjetin e kanalizimit.