Arbëri

Rritja e të hyrave në kurriz të qytetarit

Çmimet e produkteve pritet të bien gjatë verës

Qytetarët do të përballen edhe gjatë 2023-tës me rritje të çmimeve të konsumit që do t’ua rëndojë edhe më shumë mirëqenien. Ani se projeksionet flasin për përgjysmimin e shkallës së inflacionit, parashikimet rrezikojnë të minohen, pasi që varen nga masat që do t’i ndërmarrë Qeveria për ballafaqimin me luhatjet në tregje. Teksa rritja ekonomike nuk pritet të jetë më e madhe se 3 për qind, të hyrat nga diaspora do të vazhdojnë të jenë “infuzion” për ekonominë

Vit i vështirë për ekonominë globale projektohet të jetë 2023-shi. Pasojat e krizave që e përshkuan 2022-tën do t’u barten ekonomive botërore. Imune s’do të jetë as Kosova.

Qytetarët do të përballen me rritje të çmimeve të konsumit që do t’ua rëndojë atyre edhe më shumë mirëqenien.

Ndonëse projeksionet flasin për përgjysmimin e shkallës së inflacionit, këto parashikime rrezikojnë të minohen, pasi varen nga masat që do t’i ndërmarrë Qeveria për ballafaqimin me luhatjet në tregje. Shndërrimi i inflacionit në një problem afatgjatë do të ndikojë në dëmtimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë dhe në ngecjen e rritjes ekonomike.

Bazuar në të dhënat nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), shkalla e rritjes së çmimeve do të jetë 5 për qind. Parashikim më optimist ka Qeveria e Kosovës, që në projeksionet e saj projektoi një ulje të inflacionit në 4.2 për qind. Por ishte rritja e çmimeve ajo që e dha kryefjalën për 2022-shin. Shkalla e inflacionit arriti vlerë dyshifrore, mesatarisht prej 12 për qind. E kur ende s’u “kuruan” pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19, Kosova u përball me goditjen nga agresioni rus në Ukrainë. Ani se Kosova importon sasi të pakta të produkteve nga Rusia e Ukraina, lufta mes dy vendeve shkaktoi një efekt zinxhir ekonomik përtej kufijve të tyre. Çdo rritje e çmimit në Rusi, vend ky që është prodhuesi më i madh i naftës dhe i gazit natyror në botë, rezultoi me ngritjen e kostos në transport, për të reflektuar në çmimet e lëndës së parë dhe në mallra të tjera.

Abuzimet me çmime

Paniku i krijuar mes qytetarëve për furnizim me produkte bazë, shkaku i mungesës që parashihej ta prodhonte kriza në Ukrainë, nxori në pah abuzimin me çmime nga tregtarët.

Menjëherë pas shpërthimit të luftës në fundshkurt, një litër vaj i importuar me çmim prej 1.22 eurosh u shit për 3.49 euro. Çmimet u rritën edhe për miellin, vezët, kripën e sheqerin. Si pasojë, shpenzimet e një familjeje me të hyra mesatare mujore prej 400 eurosh u rritën për 28 euro në shtatorin e 2022-s, krahasuar me koston për produkte të njëjta të vitit 2021.

Nafta arriti çmim rekord. Sa herë që pati lëvizje në bursa, naftëtarët nxituan me shtrenjtim. Në qershor një litër naftë u tregtua me çmim deri në afro 1.90 euro. Ngritjet shtynë Qeverinë të ndërmarrë masa duke caktuar çmim tavan në baza ditore. Ndonëse u kritikua nga naftëtarët, vendimi ndikoi në stopimin e rritjes së vazhdueshme të çmimit. Mirëpo, sa herë që skadonte afati njëmujor i masës, i caktuar nga Ministria e Tregtisë, niste sërish ndryshimi në çmime nëpër pika të karburantit.

Krahas naftës, Qeveria paralajmëroi vendosjen e çmimeve tavan edhe për produkte të tjera bazike. Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha disa herë se tavan çmimesh do të ketë për miellin, vajin e disa produkte të tjera.

“Kemi spekulantë të ndryshëm në tregun tonë. Ne do të sigurojmë që të kemi sa më shumë konkurrencë të shëndoshë”, pati thënë ajo në seancën e Kuvendit, në të cilën diskutohej për rritje të çmimeve.

Ligji për çmimet tavan për produkte bazë u miratua në Kuvend tek në nëntor. Por u sfidua në Gjykatën Kushtetuese nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike (LDK), me justifikimin për ndërhyrje në ekonomi. Veprimi nxiti kritika nga Ekzekutivi.

“Vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarkete e dërgon një ligj të tillë në Gjykatë Kushtetuese”, pati thënë ministri i Financave, Hekuran Murati, në njërën prej seancave parlamentare.

Tendenca për kontrolle të çmimeve

Tendenca qeveritare për kontroll mbi çmimet do të dëmtojë disa sektorë. Me Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg dhe me udhëzimet administrative për kontrollimin e çmimeve të naftës do të preken sektorë që qarkulluan bashkërisht mbi 1.1 miliardë euro më 2021, apo sa rreth 15-përqindëshi i Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për vitin respektiv. Praktikat e vendeve tjera tregojnë se kontrolli i çmimeve nuk jep efekt në uljen e inflacionit, meqë menjëherë pas heqjes së kufizimeve ka tendencë për rritjen e tyre.

Për zbutjen e krizës me çmime, Qeveria bëri dy ndërhyrje me pako financiare. Në pakon e parë 100 milionë eurosh rezervoi nga 100 euro për punonjës të sektorit privat dhe atë publik që kanë paga nën 1 mijë euro, nga 100 euro për studentët e pensionistët, dyfishimin e asistencës sociale dhe ndarjen e pakove ushqimore. Ua subvencionoi naftën bujqve në vlerë prej 36 centësh për litër.

I përballur me presionin sindikal nga mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë, Ekzekutivi e prezantoi në shtator edhe një pako të re, për të ndarë nga 50 euro për punonjësit publikë deri në fund të vitit dhe nga 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët në ndërmarrje publike. Por, për sektorin që e mbush arkën e shtetit, atë privat, përfshiu veç një masë. Subvencionimin e punëdhënësve deri në 50 për qind, apo maksimum 100 euro, për rritjen e pagës së punëtorëve për tre muaj.

Masa nga opozita u kualifikua si “lëmoshë”.

“Qeveria po dëshmon se bllokimin e investimeve kapitale e ka bërë për t’i grumbulluar depozitat në mënyrë që sa herë që të ketë krizë, besimi te qytetarët apo kur partia në pushtet nuk i ka punët mirë në terren, ta hapë kuletën e shtetit dhe të shpërndajë lëmoshë për ta zbutur mllefin e qytetarëve”, pati thënë Arben Mustafa, koordinator për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partisë Demokratike (PDK).

Tkurrja e ekonomisë

Rritja e çmimeve gjeneroi rënie të fuqisë blerëse. Kjo ia ngadalësoi hovin rritjes ekonomike të vitit 2021. 2022-shi u përmbyll me rritje ekonomike prej rreth 2 deri në 3 për qind. Në buxhetin për 2023-tën, Qeveria parashikoi që rritja të jetë prej 5.5 për qind, sa rreth dyfishi i 2022-s.

Shifrat megjithatë nuk përkojnë me ato të FMN-së dhe të Bankës Botërore (BB), e as me të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që projektuan rritje rreth 3-përqindëshe për vitin e ardhshëm.

Bazuar në këto të dhëna, më 2022 dhe 2023 rritja del të jetë më e ulëta që prej 2014-s, përjashtuar vetëm 2020-n, kur viti u pati përmbyllur me bilanc negativ si pasojë e izolimeve shkaku i pandemisë COVID-19.

Pavarësisht shifrave, kryeministri Albin Kurti në pothuajse çdo paraqitje, brenda e jashtë vendit, u krenua me bilancin e rritjes ekonomike të 2021-tës, prej 10.7 për qind. Meritat edhe për rritjen e të hyrave ia atribuoi qeverisjes së tij, por nuk përmendi që deficiti tregtar dhe çmimet patën ndikim në këto të hyra.

Hyrjet buxhetore parashihet të rriten edhe më 2023. Bazuar në projeksione buxhetore, të hyrat do të jenë 2.88 miliardë euro, apo 520 milionë më shumë se vitin e shkuar. Për dallim prej 2022-tës, Ministria e Financave do të ketë në dispozicion buxhet më të madh, shkaku i mjeteve që parashihen për rimëkëmbje ekonomike dhe për Ligjin për Paga.

Varësia nga importi

Edhe më 2023 Kosova do të eksportojë para të gatshme me vlerë miliardësh. Mungesa e prodhimit vendor për mbulimin e nevojave të konsumatorëve do ta vazhdojë shkallën e lartë të deficitit tregtar. Më 2022 ishte afro 3.5 miliardë euro apo 24.2 për qind më shumë se më 2021. Gjatë vitit, importet u rritën në vlerë porse jo edhe në sasi. U importuan rreth 4.2 miliardë euro mallra ose 24.6 për qind më shumë sesa vitin e kaluar, ndërsa u eksportuan 27.1 për qind më shumë, përkatësisht rreth 690 milionë euro.

Vit i Ri me projekte të vjetra

Pas një viti pothuajse të humbur për sa i përket realizimit të investimeve në projekte kapitale, më 2023 pritet që buxhetit t’i shtohen edhe 200 milionë euro për projekte të reja. Nga 810 milionë euro sa do të jenë investimet kapitale, 611.4 milionë janë planifikuar për vazhdimin e projekteve të mëhershme e 199.3 milionë për të reja. Por në rast se vazhdon kriza me çmime, shumë projekteve do t’u rritet kostoja e realizimit dhe do të gjenerohet ngecje në finalizimin e punimeve. Nga janari deri në shtatorin e 2022-tës, për realizimin e projekteve kapitale është shpenzuar vetëm 21 për qind e buxhetit të paraparë. I vonshëm qe reagimi i Qeverisë për ta përshtatur rritjen e kostove, ani se ngritja e çmimeve dhe indikacionet për probleme me inflacionin ishin që nga 2021-ta.

Në nëntor e mori miratimin ligji që i mbështet punët publike, duke i marrë për bazë projektet e nënshkruara para marsit.

Sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i kritikonte favorizimet që u bëheshin komunave me ndarjet buxhetore. Por me buxhetin e 2023-s, të miratuar në qeverisjen e LVV-së, gjysma e investimeve të reja kapitale në nivel qendror u shkuan komunave që udhëhiqen prej saj. Ky buxhet e shpërfaq tendencën për rritje më të shpejtë të shpenzimeve rrjedhëse sesa atyre kapitale dhe rritje të subvencioneve e transfereve. Në të janë paraparë edhe 65.1 milionë euro për Ligjin për Paga, i cili e mori miratimin më 22 dhjetor. Por, ai nuk e përcakton edhe koeficientin e pagës.

Shteti pa shifra për punësimin

E paqartë ndërkaq ngelet se sa ndikuan zhvillimet ekonomike në punësim. Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) tek në dhjetor publikoi të dhëna mbi vitin 2021, e për 2022-tën nuk ka ende.

Agjencia, që prej vitesh herë kalon nën ombrellën e Ministrisë së Financave e herë në të Zyrës së kryeministrit, shpesh vonon me nxjerrjen e shifrave. Vonesën e atyre të punësimit për 2021-n e pati justifikuar me situatën pandemike. Në mungesë të atyre nga ASK-ja, shifrat rreth punësimit i dha Qeveria. Sipas tyre, nga janari deri në gusht të 2022-s janë regjistruar 15 mijë të punësuar të rinj, por nuk specifikohet se për cilët sektorë bëhet fjalë apo nëse e nënkuptojnë vetëm formalizmin e vendeve të punës.

Remitencat “infuzion” i ekonomisë

Dërgesat nga diaspora mbeten komponentë e rëndësishme për ekonominë. U rritën nga viti në vit. Madje edhe në periudhën kur shkaku i pandemisë dhe goditjes së ekonomive botërore paralajmërohej mundësia e rënies. Ndodhi e kundërta. Më 2020 dhe më 2021, nga diaspora u dërguan edhe më shumë mjete se viteve të kaluara. 2022-shi shënoi ritëm edhe më të shpejtë të rritjes së remitencave, që deri në fundin e tetorit arriti në vlerën prej 1 miliard euro. Krahas dërgesave, edhe rreth 1.48 miliardë euro llogaritet se u shpenzuan nga banorët jorezidentë, pjesa më e madhe e të cilëve konsiderohet të jenë nga diaspora.

Pati rritje edhe në investime të huaja direkte. Vlera e tyre deri në shtator ishte 567 milionë euro, apo 47 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto investime shkuan kryesisht në patundshmëri, ani se është bërë thirrje vazhdimisht që remitencat të orientohen në drejtim të investimeve.

Tentimi i dytë për “varfërim” të pleqërisë

2022-shi do të mbahet mend edhe për përpjekjen e re drejt tërheqjes së dytë të kursimeve nga Fondi Pensional. Pas tentimit të dështuar në qershor, Kuvendi më 2023 do ta shqyrtojë projektligjin që e lejon tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve. Nëse e merr miratimin, atëherë prej Fondit do të derdhen rreth 600 milionë euro. Por gjasat vlerësohen të pakta, pasi partia në pushtet, me përjashtim të disa deputetëve të saj, është kundër. “Jo”-në për tërheqjen pushteti e arsyetoi me varfërim të qytetarëve në moshë pensionimi. Për bazë është marrë edhe vërejtja nga FMN-ja kundër tërheqjes së re që do ta pasonte atë të dhjetorit të 2020-s, kur qytetarëve iu mundësua të merrnin 10-përqindëshin e totalit të kursimeve për pleqëri. Për tërheqjen është iniciuar edhe peticion që mblodhi nënshkrimet e mbi 21 mijë qytetarëve.

Me ndryshimet ligjore, propozohet që personat të cilët kanë deri në 10 mijë euro kursime, të tërheqin deri në 30 për qind të tyre. Ata që posedojnë 10 deri në 20 mijë, të tërheqin 25 për qind përderisa ata që kanë mbledhur mbi 30 mijë euro t’i tërheqin deri në 10 për qind.