Arbëri

Rritja e konsumit ka rritur çmimet, ka edhe mungesë të produkteve

Rritja e kërkesës së konsumit ka rritur edhe çmimet e artikujve ushqimorë muajve të fundit.

Ato kanë shënuar një rritje prej 3.5 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Por, vetëm vaji dhe yndyrat ushqimore kanë shënuar një rritje prej mbi 28 për qind.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për rritjen e çmimeve të konsumit të përditshëm. Isa Hoxha, banor i Prishtinës, thotë se çmimet po rriten e shporta e tyre po zvogëlohet.

“Unë vetë i kam vërtetuar në disa shitore që përnjëherë janë rritur tepër, tepër, tepër. Ta marr një shembull një shishe vaj që ka qenë 1 euro ose 1 euro e diçka veç nuk disha çka me ba. Po unë nuk i kam fajet, por inspektorët se këtu duhet me kanë një inspeksion i fortë, i ligjshëm edhe i drejtë, atë që i takon dhe jo kush don sa don me i rrit çmimet”, tha Hoxha.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) thotë se çdo ndryshim në zinxhirin e furnizimit reflekton në kosto të produktit apo mungesës së produktit.

“Ne kemi përcjellë tregjet botërore dhe kemi parë që ka rritje të çmimeve në nivel global pasi që ne importojmë shumicën e produkteve sidomos të produkteve të lëndës së parë. Kjo është reflektuar edhe në çmimet që janë në tregun tonë, jo vetëm te produktet ushqimore, por edhe te sektori i ndërtimit”, tka kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi.

Rritje ka pasur edhe te çmimet e perimeve, ujit dhe pijeve.

“Të gjitha produktet janë rritur, diku për 20 për qind deri në 30 për qind mos ma shumë. Të gjitha, edhe buka edhe të gjitha. Kur shkojmë te materiali ndërtimor, katastrofë çfarë çmimesh të nalta”, tha qytetari i Prishtinës, Faik Rusinovci.

Pas rritjes së konsumit, qytetarët janë përballur edhe me mungesa të disa artikujve.


“Ka pasur një pjesë të vitit që shumë kush nuk ka konsumuar dhe e ka rritur konsumit. Mungesa e konsumit paraprak ka qenë e lidhur edhe me gjendjen e pandemisë dhe e dyta është edhe ardhja e diasporës dhe kjo pjesa e ngjarjeve të verës apo më mirë të them të argëtimit që është rritur dhe shumë furnitor nuk po them që i ke gjetur ta papërgatitur, por me hapësirë të kufizuar për të kryer porosi të reja”, tha Rukiqi.

Autoriteti i Konkurrencës kishte monitoruar tregun pas ngritjes së dyshimeve për rritje të çmimit të vajit, por që nuk ka hasur në marrëveshje të ndaluar.

Edhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ditë më parë ka thënë se ka rritje të çmimeve, por që nuk mund të ndërhyjnë shkaku që është treg i lirë.

Por, kanë theksuar se po monitorojnë dhe se do të ndërhyjnë nëse vërtetojnë abuzime.