Gjendja në sistemin elektroenergjetik është normalizuar dhe stabilizuar, pas implementimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji, ka njoftuar KOSTT.
KOSTT ka sqaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike, një masë kyçe që, sipas KOSTT, ka garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e furnizimit si dhe integritetin e sistemit.
“Kërkohet nga të gjitha palët pjesëmarrëse në treg të respektojnë rregulloret operative dhe obligimet kontraktuale, për të siguruar një operim të qëndrueshëm, të sigurt dhe të optimizuar të rrjetit elektroenergjetik”, thuhet në njoftim.
Të martën, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) raportoi se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit energjetik. Sipas KOSTT, janë detyruar të kufizojnë ngarkesën për të ruajtur sigurinë e sistemit. E disa orë pas paralajmërimit të KOSTT-it, në qytete të ndryshme ka nisur reduktimi i rrymës.
Si pasojë, disa lagje në kryeqytet për më shumë se një orë kanë mbetur pa rrymë të mërkurën. Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë.