Afro 868 milionë euro ka shpenzuar shteti në subvencione dhe transfere gjatë vitit 2020, duke ngritur shumën për 330 milionë euro krahasuar me vitin 2019.
Sipas një raporti preliminar financiar për ekzekutimin e buxhetit, të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se rritja ka ndodhur për shkak të ekzekutimit të pakos emergjente dhe të rimëkëmbjes.
Përballja me Covid-19 ka ndikuar që shpenzimet buxhetore të rriten për 178.4 milionë euro, ndërkohë që ka pasur rënie të të hyrave tatimore për 155 milionë euro më pak sesa vitin paraprak. U shpenzuan afro 2 miliardë e 330 milionë euro.
Rritje të shpenzimeve pati edhe në kategorinë e pagave dhe shtesave. Për këtë kategori janë shpenzuar 660.79 milionë euro apo 44.86 milionë më shumë.
Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të pagesave shtesë për sektorët - bartës të menaxhimit të pandemisë.
Rritje të shpenzimeve për 1 për qind pati edhe tek kategoria për mallra dhe shpenzime, duke bërë që vlera të arrijë në 274.2 milionë euro. Ndërkohë pati ulje të shpenzimeve komunale, ku u shpenzuan 22.6 milionë euro apo 11 për qind më pak krahasuar më 2019.
Ulje të shpenzimeve pati edhe për shpenzimet kapitale. Për këtë kategori u shpenzuan 380 milionë euro, apo 28 për qind më pak sesa në vitin paraprak.
Për dallim nga shpenzimet, të hyrat buxhetore ishin 1 miliardë e 721 euro. Të hyrat tatimore ishin në vlerë prej 1 miliardë e 506 milionë euro, apo 155 milionë euro më pak sesa në vitin 2019.
Në vitin 2019 pati edhe ulje të të hyrave vetjake të komunave. U grumbulluan vetëm 42.7 milionë euro apo 15 për qind më pak krahasuar me vitin paraprak. Ulje pati edhe në tatimin në pronë, ku u grumbulluan vetëm 22.7 milionë euro dhe në krahasim me vitin paraprak ka pasur një ulje prej 17 për qind, apo afro 5 milionë euro.
Në krejt këto kanë ndikuar masat qeveritare të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro apo 28.2 për qind më të ulëta se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro (1%) më të ulëta.
Rënia e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve do të bëjë që për herë të parë të tejkalohet rregulla e deficitit buxhetor. Me gjithë rritjen e deficitit, Kosova pritet ta ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon.
Sipas një analize që ka bërë Instituti GAP, edhe pse është planifikuar rritja e shpenzimeve, kategoria e investimeve kapitale si një kategori e cila ndihmon në rritje më të shpejtë ekonomike pritet të ketë një rënie të theksuar krahasuar me planifikimin.
“Kryesisht për shkak të nevojës për ndihmë ndaj sektorit privat, ka një rritje të theksuar të subvencioneve. Megjithëse e nevojshme, rritja e subvencioneve si një nga kategoritë më pak të rregulluara ligjërisht, mund të krijojë hapësirë për abuzim të parasë publike”, thuhet në atë analizë.
Për të adresuar situatën ekonomike dhe sociale të krijuar si pasojë e masave për ndaljen dhe kufizimin e punës së shumicës prej bizneseve në sektorin privat, Qeveria e Kosovës miratoi një Pako Emergjente Fiskale me vlerë prej 179.6 milionë eurosh. Kjo pako përmban kryesisht masa afatshkurtra për adresimin e problemeve të shkaktuara nga COVID-19.