Arbëri

Rriten incidentet e qytetarëve me Policinë, juristët thonë se ka rënë besueshmëria ndaj institucionit

Brenda vetëm tri ditësh janë shënuar tri incidente mes qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, që përfshijnë sulme fizike, kanosje dhe pengim të arrestimeve. Juristët e lidhin këtë trend me rënien e besueshmërisë ndaj Policisë së Kosovës, pas rasteve të fundit me pasoja fatale gjatë arrestimeve.

Në raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës, brenda tri ditëve janë evidentuar tri raste, ku qytetarët janë përfshirë në incidente ndaj zyrtarëve policorë përmes kanosjes, pengimit, arrestimeve apo sulmeve fizike.

Në Ferizaj, të premten, babai i një të dyshuari për narkotikë i ka sulmuar dy policë gjatë përpjekjes së tyre për arrestim.

Sipas raportit zyrtar, “dy zyrtarë policorë kanë pranuar tretman mjekësor”, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po atë ditë, në Vushtrri, një qytetar është arrestuar pasi e kishte kanosur një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës.

E, në Pejë, të dielën, dy persona dyshohet se e kanë sulmuar një njësi policore gjatë shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje.

Sipas Policisë, nga ky incident “dy zyrtarë të PK-së dhe një nga të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor”.

Sipas avokatit, Anton Nrecaj, besueshmëria e publikut në institucionin e policisë është cenuar pasi javën e kaluar një person në Lipjan vdiq gjatë arrestimit nga policia, e në Suharekë, gjatë mbajtjes në Stacionin Policor, një person tjetër u raportua se kreu vetëvrasje.

“Rastet e fundit të cilat kanë dalë në media, ku si pasojë i kemi dy qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët ndërrojnë jetë, vdesin në duar të policisë së Kosovës. Pastaj veprimet e tejkaluara të ushtrimit të dhunës nga policia, si në rastin në Klinë, kanë reflektuar edhe te sjellja e qytetarëve kundrejt policisë dhe kjo qasje është e gabueshme”, ka thënë Nrecaj.

Nrecaj thekson se mbikëqyrja e veprimeve të policëve bëhet nga Inspektorati Policor, dhe kjo duhet të jetë adresa e qytetarëve të pakënaqur e jo konfrontimi me zyrtarët e rendit.

Mirëpo, rënien e besueshmërisë në polici, Nrecaj e lidh me një mungesë të kujdesit të instancave më të larta ndaj institucionit të policisë.

Sipas tij, kjo reflektohet te rrogat, pajisjet e përgatitjet profesionale.

“Mbështetja, qoftë në aspektin e përgatitjes profesionale në Akademinë e Policisë, qoftë në aspektin e pajisjeve të teknologjisë, moderne, të avancuara, të kohës, ka munguar dhe vazhdon të mungojë”, ka shtuar ai.

Të hënën, Inspektorati Policor njoftoi se e ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, në dy raste të ndara.

Në Ferizaj, një zyrtar policor në rroba civile e kanosi me armë një të mitur.

E, në Prishtinë, IPK-ja e ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.