Arbëri

Rreziqet që i kanosen Kosovës pas përshkallëzimit të krizës në Ukrainë

Skenari rus në Ukrainë mund të tentohet të zbatohet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, kanë paralajmëruar njohës të zhvillimeve ndërkombëtare. Sipas tyre, Rusia do të provojë që nëpërmjet Serbisë të ndezë konflikte edhe në pjesët që janë më të cenueshme nga aspekti i sigurisë, sikurse është veriu i populluar me shumicë serbe

Kosova nuk mund të jetë imune nga përplasja midis Perëndimit dhe Rusisë, kanë paralajmëruar njohës të rrethanave.

Shkaku i sovranitetit të dobët të institucioneve në pjesën e veriut që popullohet me shumicë serbe nuk është përjashtuar mundësia e inskenimit të një skenari rus në atë pjesë.

Pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve të Ukrainës, Donetsk e Luhansk, është dhënë alarmi për rrezikun që Rusia të tentojë ndryshimin e rrjedhave edhe në rajonin e Ballkanit.

“Nisur nga kjo pikë më nuk do të jetë e njëjtë as politika ndërkombëtare. Po vërehet se do ta kemi një rend të ri botëror, bazuar në forcën dhe ndarjen e blloqeve, të cilin Rusia po e promovon edhe me fuqi ushtarake”, ka thënë Dritëro Arifi, profesori që e ligjëron të drejtën ndërkombëtare. “Sa u përket zhvillimeve të fundit në Ukrainë, përkatësisht me njohjen e dy krahinave nga presidenti i Rusisë, është devalvuar edhe debati që po zhvillohet në kontekstin mes Kosovës dhe Serbisë. BE-ja duhet të rizgjohet dhe ta shikojë komplet qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i vendosë disa parametra të matshëm, të saktë në politikën e jashtme, sepse përndryshe Ballkani Perëndimor mund të dëmtohet nga politikat destruktive tashmë të hapura të presidentit rus ndaj Ballkanit Perëndimor, ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj NATO-s”.

Sipas Arifit, nëse BE-ja vazhdon me lëvizjen e ngadalshme, do ta dëmtojë ekzistencën e vet dhe të NATO-s, nëse nuk reagohet që të paktën Ballkani Perëndimor të jetë një zonë e sigurt.

“Ballkani Perëndimor rrethohet me shumicën e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s. Prandaj çdo neglizhencë ndaj këtij fenomeni mund të ketë pasoja për vetë zhvillimin e Ballkanit, por edhe të Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

E njohësi i zhvillimeve ndërkombëtare, Butrint Berisha, ka listuar arsyet se pse pozicioni i Kosovës është edhe më kompleks.

“Rishtazi ka një vëmendje të shtuar të Perëndimit për Ballkanin Perëndimor, me përfaqësues të emëruar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, krahas atyre të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Paralelisht vërehen përpjekje nga ana e Rusisë që të ndikojë në rrjedhat, kryesisht përmes faktorit serb në shtete të rajonit. Në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga disa pjesë afër kufirit të vet, Rusia është lojtare më e dobët, por kjo nuk do të thotë se është e parëndësishme. Republika Serbe në Bosnjë-Hercegovinë paraqet instrumentin kyç, por jo të vetëm”, ka theksuar Berisha. “Kosova nuk është imune nga ky konfrontim NATO-Rusi, për shkak të veriut, konkretisht sovranitetit të dobët të institucioneve kosovare dhe strukturave paralele serbe. Në anën tjetër, pozicioni i Kosovës është edhe më kompleks duke qenë jashtë OKB-së dhe NATO-s, si dhe perceptimit dominues edhe nga aleatët perëndimorë se dialogu me Serbinë paraqet rrugën e vetme për anëtarësim në këto organizata dhe njohje të plotë ndërkombëtare”.

Presioni do të rritet

Berisha pret edhe shtim të presionit mbi palën kosovare për finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Nëse shtetet perëndimore pas pranimit të Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO synojnë të ulin ndikimin e Rusisë tutje, atëherë marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të shihet si vitale. Por, në këtë rast, ka sinjale se trysnia për koncesione mbi Kosovën do të rritet”, ka potencuar ai.

Tetorin e vitit të kaluar pati tensione mes Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të Qeverisë për aplikimin e reciprocitetit në targa. Me trupat e tyre dhe me mjete të rënda serbët kishin bllokuar rrugët që shpien drejt pikave kufitare. Serbia, njësoj siç po bën tani Rusia në Ukrainë, e aktivizoi edhe ushtrinë përreth kufirit me Kosovën, afër Bërnjakut e Jarinjes. Pranë zonës kufitare fluturuan edhe avionët ushtarakë serbë, derisa trupat ushtarake serbe, që ato ditë realizuan stërvitje në Rashkë - qytet kufitar me Kosovën - ishin inspektuar edhe nga ambasadori rus në Beograd. Situata u shtensionua pas një marrëveshjeje të përkohshme për targat që u ndërmjetësua nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Ndërkohë, pas zhvillimeve në Ukrainë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme, duke thënë se qëndron me Ukrainën kundër agresionit dhe luftës hibride të Rusisë.

“Putini edhe një herë po bën luftë kundër një demokracie paqësore. Ai ka bërë luftëra hibride kundër demokracive nëpër Evropë për vite me radhë. Bota e lirë duhet t’u përgjigjet Putinit dhe përfaqësuesve të tij me vendosmëri”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Kosova - pjesë e diskursit të zyrtarëve rusë

Në kulmin e tensioneve, zyrtarët rusë kanë rikthyer në diskurs edhe Kosovën, duke tërhequr paralele me pjesët e aneksuara. Madje ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, e akuzoi Kosovën se po rekruton njerëz për t’i përfshirë në rajonin juglindor të Ukrainës - Donbas.

Komentet i ka bërë gjatë një interviste për televizionin “Russia Today”, duke pretenduar se ka informacione që shtetet e Ballkanit Perëndimor janë duke rekrutuar mercenarë për konflikte ushtarake të ndezura nga SHBA-ja.

Rusia, po ashtu, vazhdon të llogarisë në aleancën e Serbisë. Për këtë javë është paralajmëruar se sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Nikolai Patrushev, i cili figuron në listën e zezë të SHBA-së, do ta vizitojë Beogradin.

Siç ka raportuar portali “Istraga.ba”, që është pjesë e gazetës së njohur boshnjake “Oslobodjenje”, temë diskutimi e njeriut të besueshëm të presidentit rus do të jenë “mercenarët kosovarë”.

Ndaj pretendimeve të Rusisë kanë reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca e Kosovës, duke e quajtur gjithë këtë propagandë të egër ruse.

E presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur për presionet me të cilat do të ballafaqohet Serbia pas zhvillimeve në Ukrainë. Madje, sipas tij, do të rrënohet komplet arkitektura e sigurisë në botë dhe askush nuk dihet se si do të sillet dhe çfarë do të bëjë.

“Ajo që pason nuk do të jetë aspak e lehtë për Serbinë. Mendoj se me këtë ndryshon rendi botëror ku fuqitë do ta kthejnë dominimin. Do të ketë disa superfuqi dhe qendra të fuqisë ekonomike dhe politike”, ka thënë Vuçiq. Por ka shtuar se do t’u bëjë ballë kërkesave të Perëndimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Pas dy muajsh në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ku pjesë e fushatës është edhe Kosova.

Madje njëra prej kandidateve për presidente, Milica Gjurgjeviq, pas takimeve të zhvilluara me zyrtarët rusë, ka thënë se pas zgjedhjeve do të ndërmarrin nismë në Kuvendin e Serbisë për t’i dërguar zyrtarisht ftesë Rusisë që të përfshihet në negociatat me Kosovën. Nëse Bashkimi Evropian do ta kundërshtonte këtë, sipas saj, hapi i radhës do të jetë kërkesa drejtuar Kombeve të Bashkuara për ta rikthyer dialogun në duart e tyre.