Arbëri

Rreziku nga skenari rus, KFOR-it i kërkohet ta rrisë prezencën në veri

Policia ka konfirmuar ndalimin e tre shtetasve serbë dhe dy shtetasve kosovarë nën dyshimin se të njëjtit kanë blerë emblema të UÇK-së, me qëllim shkaktimin e tensioneve në veriun e populluar me shumicë serbe. Derisa lufta në Ukrainë po vazhdon pas nisjes së sulmit rus, institucionet kanë ndërmarrë disa veprime, teksa është kërkuar edhe rritja e prezencës së KFOR-it në veri

Prishtinë, 27 shkurt - Dyshimet se po përgatitet plan për nxitjen e tensioneve në veri, sipas skenarit rus, kanë çuar në ndalimin e pesë personave.

Policia e Kosovës ka konfirmuar të dielën se në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë ndaluar tre shtetas serbë dhe dy shtetas kosovarë, nën dyshimet se ata kanë blerë emblema të UÇK-së në njërin prej lokaleve të Prishtinës. Ata po ashtu planifikonin edhe blerjen e disa uniformave ushtarake. Megjithëse nuk kanë treguar arsyet e arrestimit, në njoftimin e policisë thuhet se ndaj tyre janë duke u bërë verifikimet e nevojshme, në koordinim me Prokurorinë Speciale.

datë 26/02/2022, Policia e Kosovës ka ndaluar pesë (5) persona; dy (2) shtetas kosovar dhe tre (3) shtetas të Serbisë, ndaj të cilëve janë duke u bërë verifikimet e nevojshme në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Për procedurat e mëtejshme jemi në konsultim me prokurorin kompetent derisa të kryhen verifikimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Mediat kanë raportuar se të arrestuarit planifikonin realizimin e një videoje kinse disa ushtarë me uniforma të UÇK-së, janë gati për ta marrë veriun e Kosovës. Sipas raportimit të “Kosovapressit”, Serbia përmes kësaj taktike po planifikon të japë pretekst para ndërkombëtarëve për të ndërhyrë ushtarakisht, kinse për t’i mbrojtur shtetasit serbë në Kosovë. Dyshohet se tre shtetasit serbë kanë hyrë në Kosovë nëpërmjet pikë-kalimit kufitar “Dheu i Bardhë”, në Gjilan. Ndërkaq një shtetas kosovar i ka sjellë ata në Prishtinë me veturë.

Përshkallëzimi i situatës në Ukrainë, pas sulmit rus, ka rritur vigjilencën e institucioneve të Kosovës. Të shtunën Policia ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë në pikën kufitare në Bërnjak, e cila vitin e kaluar ishte mbyllur për disa ditë pas vënies së barrikadave nga serbët. Sipas policisë, pajisjet janë dërguar me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për punë.

Kontrollet janë shtuar edhe nëpër rrugët malore që Serbia i ka shfrytëzuar për kontrabandë me veriun.

“Këto veprime realizohen përmes njësiteve të ndryshme policore, andaj me qëllim të krijimit të hapësirave dhe kushteve më të mira për punë në ambientet policore, Policia e Kosovës në vazhdimësi planifikon përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve logjistike. Referuar nevojës së përmirësimit të kushteve të punës për zyrtarët policorë të kufirit në Bërnjak, të cilët kanë punuar në kushte jo të mira, sot Policia e Kosovës ka dërguar pajisje logjistike dhe kontejnerë, të cilat do t’ju shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar nga komandanti i KFOR-it t’i shtojë trupat e këtij misioni në veri të Kosovës, pas situatës së krijuar në Ukrainë.

“Me qëllim të koordinimit të ngushtë me KFOR-in, pas agresionit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari. Me këtë rast, kërkova prezencë më të madhe të trupave të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës dhe përforcim më të madh të kontingjentit të saj. Tendencat destabilizuese të Rusisë dhe të satelitëve të saj ndaj vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’u kundërvihemi së bashku me aleatët tanë”, ka shkruar Mehaj të dielën në Facebook.

Ndërkaq, Serbia e ka interpretuar si tentim për ta destabilizuar veriun shtimin e prezencës policore në veri. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nuk do ta “pranojë lojën e provokimeve”. Ai ka thënë se për këto lëvizje e ka njoftuar edhe KFOR-in dhe se është në kontakt të përditshëm me serbët e veriut.

“Ju i keni parë ata duke vendosur kontejnerë një kilometër larg vendkalimit, për të monitoruar edhe Gazivodën. Ne nuk duam të pajtohemi me lojën dhe provokimet e tyre. Duhet t’i shmangim provokimet, sepse jemi në gjendje të ndërtojmë qendra klinike dhe të përparojmë më shpejt se të tjerët. Dhe kështu heshtim. Edhe pse e shihni që unë di çdo detaj, është më mirë se sa të provokojmë konflikt. Ne duhet ta ruajmë paqen, sepse në paqe ne rritemi më shpejt dhe kjo është rruga drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiqi të dielën, pas vizitoi një qendër klinike në një qytet në Serbi.

Por presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur për rrezikun që situata në Ukrainë ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, luan sipas metodave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Qartë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, luan sipas metodave të Putinit. Nëse shikoni veprimet destabilizuese që Serbia ka ndërmarrë në muajt e fundit në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi e kundër Kosovës dhe ndaj shteteve të tjera në rajon, tregojnë qartë se qëllimet e saj janë më të mëdha, sesa vetëm zgjerim territorial. Këto janë qëllime hegjemoniste. Tregon se strategjitë nuk kanë ndryshuar. Oligarkët në këto shtete mund të ndryshojnë, por qëllimet karshi rajonit nuk ndryshojnë. Për fat të keq, në shumicën e rasteve, përfundojnë me vuajtje njerëzore e shkatërrim. Besoj se është shumë e rëndësishme për BE-në në veçanti që ta shohë se çfarë po flitet qartë nga Serbia, se ajo po anon nga Rusia, e jo nga vlerat e BE-së apo shteteve të tjera demokratike”, ka thënë Osmani në një intervistë për “Times Radio”.

Ajo është pyetur edhe për krahasimin që ka bërë kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, të veprimeve të tashme të Putinit në Ukrainë me ato të Slobodan Milosheviqit në Kosovë.

“Krahasimi që ka bërë kryeministri Boris Johnson para disa ditëve mes agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe ngjashmërisë së saj me krimet e Milosheviqit ndaj Kosovës, jo vetëm që ndez alarmet, por edhe kthen memoriet e dhimbshme të krimeve që janë bërë ndaj njerëzve që përfaqësojnë. Së dyti, po shohim imazhe të shkatërrimeve në Ukrainë dhe askush më mirë se njerëzit e Kosovës nuk e kuptojnë se si është të jetosh afër një fqinji që udhëhiqet nga një regjim autoritar”, ka shtuar Osmani.

Edhe njohës të sigurisë kanë tërhequr vëmendjen për rrezikun që i kanoset veriut.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se agresioni i tipit rus mund të tentohet edhe në atë pjesë, që ndër vite njeh tensione.

“Ka rrezik që mund të ndikojë posaçërisht në veri të Kosovës. Unë e kam thënë edhe më herët që Serbia ka qëllime territoriale ndaj Kosovës, është shumë e interesuar që të ketë, ta bllokojë veriun e Kosovës dhe për atë arsye mendoj që KFOR-i, Policia e Kosovës, por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të duhet që të jenë shumë vigjilente, të koordinuara mirë dhe të bashkërenduara që ta rendisin prezencën e tyre në veri rreth kufijve, të kontrollohet çdo gjë, kush hyn dhe kush del dhe ta kenë situatën nën kontroll dhe të mos vjen deri aty që ne të befasohemi nga ndonjë veprim i ekstremistëve apo shërbimeve sekrete serbe apo ruse në veri të Kosovës”, ka theksuar Kastrati.

Ndërkaq, Skender Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tregon se nga cilat veprime duhet të ketë kujdes Qeveria.

“Nuk duhet ne të shërbejmë si një arsyetim për destabilizim në veri, për shembull të dërgojmë njësinë speciale atje pa një koordinim të mirëfilltë ndërkombëtar për shkak të situatës aktuale të ndjeshme në aspektin e sigurisë qoftë në Ballkanin Perëndimor apo në Ukrainë. Institucionet e sigurisë duhet të jenë vigjilente t’i bëjnë analizat e duhura të gjendjes së sigurisë dhe të sundimit të ligjit në veri dhe të gjitha veprimet të jenë në pajtim të ngushtë me KFOR-in, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, ka thënë Perteshi. Sipas tij, problemi më i madh në rastin e Kosovës mund të jetë në veri për shkak se në atë pjesë ende nuk janë shtrirë rendi dhe ligji.

“Ka tendenca që komuniteti serb atje apo shërbimet e ndryshme të Serbisë duan ta prishin aspektin e sigurisë”, ka theksuar ai.

Aktualisht ekziston një marrëveshje sipas së cilës FSK-ja mund të zbarkojë në veri vetëm me lejen e posaçme të komandantit të KFOR-it. Aktualisht, KFOR-i i ka rreth 4 mijë trupa në Kosovë, ku numrin më të madh e përbëjnë italianët dhe amerikanët.

Kjo forcë kishte pasur rol edhe në zhbllokimin e rrugëve drejt pikave kufitare në Jarinje e Bërnjak, të cilat për 12 ditë ishin bllokuar nga serbët me mjete të rënda. Palët që u thirrën për ta diskutuar zgjidhjen në Bruksel ishin pajtuar me propozimin e komandantit të KFOR-it, sipas të cilit njësitë speciale të Kosovës dhe protestuesit bashkë me barrikada të largohen në sinkron nga pikat kufitare, për t’u lënë vend pjesëtarëve të KFOR-it. Pjesëtarë amerikanë të kësaj force janë parë edhe javën e kaluar, teksa po vëzhgonin situatën përreth kufirit.