Dhjetëra qytetarë kanë pësuar lëndime nga qentë endacakë vetëm në muajt e parë të këtij viti, ndërsa rritja e këtyre rasteve po shihet si shqetësuese. Për këtë çështje është hapur edhe një peticion përmes së cilit kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet për menaxhimin e situatës. Në Fondacionin për të Drejtat e Kafshëve kanë thënë se Komuna e Prishtinës me subvencionimin 50 euro për strehimin e një qeni endacak, ka keqpërdorur paratë publike
44 raste të lëndimeve nga qentë endacakë kanë ndodhur nga fillimi i vitit 2026 e deri më tash, kanë njoftuar drejtues të Qendrës Emergjente në Prishtinë.
E gjatë vitit 2025 numri i të lënduarve si pasojë e kafshimeve të qenve është 128.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor shifra ndryshe kanë dhënë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Sipas njësisë së vaksinimit në QKMF, vetëm gjatë muajit prill janë vaksinuar 15 persona pas kafshimeve nga qentë endacakë, ndërsa nga janari deri në prill 67 persona, që mesatarisht i bie mbi 15 sulme të qenve në muaj.
Një prind në kushte anonimiteti ka treguar rastin e sulmit nga qentë endacakë që ka pësuar djali i tij 17-vjeçar në oborrin e Fakultetit Teknik.
“Ka marrë lëndime në kofshë. Është trajtuar në emergjencë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës ditën e sulmit, ndërsa në ditët në vijim ka vazhduar trajtimin me antibiotikë dhe pastrim të plagës, proces që ende po vazhdon. Pasojat tashmë po vërehen, pasi ai është shumë i shqetësuar dhe nuk ka guxim të dalë vetëm. Edhe aktivitetet e përditshme, si shkolla dhe kurset, po i ndjek vetëm me përcjellje për ta dërguar dhe marrë”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet për menaxhimin e kësaj situate.
Pas shtimit të rasteve të kafshimit nga qentë endacakë është hapur një peticion qytetar, ku kërkohen veprime të menjëhershme të institucioneve qendrore e lokale, si krijimi i një Task-Force Kombëtare Emergjente, fondi emergjent dhe krijimi i strehimoreve rajonale për qentë.
Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, rastet e kafshimeve i sheh si shqetësuese, por sipas saj, kjo situatë është pasojë e dështimit në menaxhimin e problemit, sidomos nga Komuna e Prishtinës.
“Kryetari Rama dhe ekipi i tij, së bashku me strehimoren publike, do të duhej të merreshin më shumë me qentë endacakë, me kastrimin dhe sterilizimin e tyre, si dhe me vetëdijesimin e njerëzve për mbajtje të përgjegjshme të qenve, sepse shumë qen me pronarë po përfundojnë në rrugë. Pastaj ata shumohen dhe numri vetëm sa rritet. Komuna e Prishtinës ka vendosur të marrë hapa shumë të kushtueshëm, ku mungon monitorimi dhe transparenca për shpenzimin e parasë publike”, ka thënë Ramadani.
Sipas Ramadanit, përmes subvencionimit me 50 euro për strehimin e një qeni endacak po keqpërdoren paratë publike, pa asnjë llogaridhënie dhe pa kritere.
“Të gjitha ato para që po dedikohen për subvencionime prej 50 eurosh në muaj për qen do të duhej të shfrytëzoheshin ndryshe, në një mënyrë më gjithëpërfshirëse, ku do të përfshiheshin edhe masat e tjera të nevojshme që do të luanin rol shumë të rëndësishëm për stabilizimin e gjendjes së qenve në rrugë. Ne po presim që Komuna të reflektojë, të kërkojë ndihmë dhe ekspertizë nga organizatat e shumta joqeveritare dhe shpresojmë që të jenë më realistë me veten, sepse për momentin po shohim se janë mjaft deluzivë dhe, për pasojë, qytetarët po e pësojnë”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës po pretendon se ka larguar rreth 1,500 qen nga rrugët, por sipas saj, në terren numri mbetet i njëjtë.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve kërkon rikthimin e programit të kastrimit dhe sterilizimit, si dhe ndërmarrjen e masave konkrete për një menaxhim më të mirë të situatës.