Arbëri

Rrezikohet siguria e fëmijëve gjatë ndërrimit të tretë në shkollën “Gjon Serreçi”

Shkolla "Gjon Sereci", Ferizaj

Prindërit e nxënësve dhe këshilli i shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj po e kundërshtojnë mbajtjen e procesit mësimor me tri ndërrime.

Thonë se ky plan program po vazhdon të shkaktojë pasoja tek nxënësit.

Prindërit dhe drejtuesit e shkollës kanë përmendur edhe ndërprerjet e energjisë elektrike pasdite, derisa thonë se shkolla nuk ka gjenerator.

Visar Islami, kryetar i Këshillit të Prindërve për regjionin e Ferizajt, ka thënë se komuna duhet të angazhohet për të gjetur hapësira në objekte të tjera shkollore, në mënyrë që mësimi të mos zhvillohet me tri ndërrime.

“Ankesat zakonisht po vijnë çdo ditë, por çdo takim që e mbajnë kërkesat e prindërve janë që fëmijët duhet të mësojnë në dy ndërrime sepse zakonisht kur procesi mësimor mbahet në tre ndërrime atëherë fëmijët që janë të vegjël duhet të zgjohen shumë herët ose një pjesë e tyre duhet të shkojnë shumë vonë e që një pjesë e tyre në ora 19:00 ose 20:00 duhet të kthehen në shtëpi. Ky është problem që e ka përcjellur shkollën “Gjon Serreçi” prej sa vitesh, kemi shpresuar se do të bëjmë zgjidhje sa më të shpejtë, por prapë është i njëjti problem”, tha Islami.

Edhe drejtori i Shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj, Nazmi Heda, ka deklaruar se shpeshherë pranon ankesa nga prindërit.

“Ka vështirësi në sigurimin fizik të fëmijëve sepse mësimi përfundon në orën 18:40 minuta dhe nxënësit në kthim e sipër u rrezikohen shëndetit të tyre por edhe rreziqeve të tjera që mund t’iu ndodhin në rrugë. Po ashtu edhe një element tjetër i cili mund të na shoqëroi në të ardhmen është ndërprerja e energjisë elektrike e cila do të na shkaktojë probleme të shumta sepse shkolla nuk ka një gjenerator që mund t’i plotësojë kërkesat e objektit për ta ndiçur dhe për ta ngrohur në tërësi”, tha Heda.

Zyrtarët komunalë kanë thënë se telashe të tilla me mbarëvajtjen e procesit mësimor kanë edhe në disa fshatra, por janë zotuar se kjo çështje do të zgjidhet.

“Problemi më i madh qëndron te shkolla “Gjon Serreçi” në Ferizaj në të cilën mësojnë mbi 2200 nxënës por edhe këtu tani e kemi të projektuar dhe të kontraktuar një operator ekonomik dhe po besojmë se në pjesën e parë të verës do të fillojmë me mbindërtimin e objektit dhe shtimi i 15 dhomave të mësimit që do të bëhet në këtë shkollë do të na krijon mundësinë që mësimi të kalojë në dy ndërrime”, thuhet nga Afrim Llabjani, drejtor për Arsim në Komunën e Ferizajt. .

Për këtë shqetësim, Këshilli i prindërve thotë se ka adresuar disa ankesa në Komunë për ta bërë një zgjidhje sa më të shpejtë.