Arbëri

Rreth 200 punonjës shëndetësorë në Ferizaj pa paga në dy muajt e fundit

Punuan edhe vullnetarisht kur ishte nevoja, por prej kur u bënë me kontrata të përkohshme, rreth 200 punonjës shëndetësorë në QKMF në Ferizaj nuk janë paguar.

Angazhimi i tyre ishte bërë përmes një marrëveshjeje ndërmjet Komunës dhe organizatës “Caritas Kosova”.

Driton Islami, infermier në QKMF të Ferizajt, ka thënë se është shqetësuese të vonohen pagat derisa janë të rrezikuar edhe nga pandemia, raporton KOHA.

“Qe dy muaj i bie që nuk kemi marrë paga, ndërkaq muajin gusht kemi punuar në baza vullnetare, ajo që i bie shtator dhe tetor jemi mbrapa me paga për momentin”, ka thënë Islami.

Në mbrojtje të punëtorëve ka dalë edhe doktori Xhevdet Haxhidema, njëherësh është edhe menaxher i kontratës së punëtorëve shëndetësorë.

Haxhidema thekson se pas skadimit të kontratës së parë në muajin gusht, shumica e infermierëve punuan në baza vullnetare, kurse prej nënshkrimit të kontratave të reja në shtator, nuk janë paguar.

“Ka ankesa dhe ato janë të natyrshme dhe të drejta. Unë i kuptoj vazhdimisht ankesat e tyre që lidhen me pagesat dhe shpesh e kam thënë disa herë se ne që jemi të punësuar në sistem të rregullt jo një muaj apo dy muaj, por edhe një apo dy ditë të vonohen pagat tona ne bëjmë shumë zhurmë”, ka thënë Hxhidema.

Përderisa KOHA nuk ka marrë përgjigje nga menaxheri i projekteve në “Caritas Kosova”, Pal Baftijaj, drejtori për Shëndetësi në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi, ka thënë se kontrata me “Caritas”-in është lidhur me vonesë për shkak të procedurave të prokurimit, derisa janë në pritje të buxhetit nga Ministria e Financave.

“Për shkak të kësaj vonese të alokimit të mjeteve kemi edhe vonesa për pagesa për këtë personel shëndetësor, mirëpo shpresojmë se këtë javë do të bëhet alokimi i mjeteve nga ministria përkatëse dhe menjëherë do ta kryejmë obligimin ndaj “Caritasit” dhe shpresojmë që edhe operatori t’i kryejë obligimet e veta ndaj punëtorëve shëndetësorë”, është shprehur Baftijaj.

Ademi është zotuar se do të bëjnë përpjekje maksimale që të mos u mbesin borxh punonjësve shëndetësorë, që po japin kontribut të madh për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.