Vazhdimësi e politikës që nuk dëshiron ta këpusë aleancën me Lindjen po konsiderohet refuzimi i Serbisë për t’iu bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën. E, gati 23 vjet më parë në kulmin e bombardimeve të NATO-s, Kuvendi i Republikës Federative të Jugosllavisë pati marrë vendim t’i bashkohet Federatës së Rusisë dhe Bjellorusisë. Analistë dhe juristë kanë folur për qëllimet prapa këtij qëllimi dhe pamundësinë e realizimit, megjithëse politika serbe zyrtarisht nuk ka hequr kurrë dorë prej aleancës me Rusinë
Prishtinë, 6 mars - Rezistimi i Serbisë për t’iu bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën po shihet si vazhdimësi e rreshtimit në anën e gabuar të historisë.
I tillë është konsideruar edhe një vendim i vitit 1999, kur Kuvendi i Republikës Federative të Jugosllavisë pati vendosur t’i bashkohet Federatës së Rusisë dhe Bjellorusisë. Kishte ndodhur kjo në kulmin e bombardimeve të NATO-s që erdhi si rezultat i krimeve të Milosheviqit.
Në vendimin e datës 12 prill thuhej se, RFJ-ja solemnisht "pranon qëllimet dhe parimet e Aleancës së Rusisë dhe Bjellorusisë dhe merr përsipër, në tërësi detyrimet që dalin nga Marrëveshja dhe Statuti i Aleancës së Rusisë dhe Bjellorusisë".
Gazetari dhe analisti, Branislav Kërstiq, kujton kohën kur ishte marrë vendimi, që sipas tij ishte rezultat i zhgënjimit me Perëndimin.
“Një vendim i tillë është marrë gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi. Me rënien e regjimit të Milosheviqit, autoritetet e Jugosllavisë dhe Serbisë, megjithëse zhvilluan negociata, nuk nënshkruan kurrë hyrjen zyrtare në Federatën e Rusisë dhe Bjellorusisë. Përshtypja ime është se një vendim i tillë ishte i nxituar edhe pse ishte i pranuar përgjithësisht në kohën e bombardimeve”, ka thënë Kërstiq për KOHËN.
Vendimi mbeti një shkronjë e vdekur në letër, pasi bashkimi me aleancën ruse nuk funksionoi në terren megjithëse forcat politike në Serbi tentuan ta rikthejnë.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka folur për pengesat në formalizimin e kësaj aleance.
“Ai ka qenë vendim i Serbisë nën gjendje të dëshpëruar, ndërkohë që po zhvilloheshin sulmet e NATO-s që kishin për qëllim, siç dihet, ndërprerjen e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë. Vendimi më pas nuk është materializuar jo vetëm prej forcave që ishin të ekstremit të djathtë nacionalist, por edhe disa të tjerë që më vonë u treguan si të moderuar”, ka theksuar Hasani. “Pra, ata kanë qenë hapa të dëshpëruar të Qeverisë së Beogradit ku asnjëherë më nuk është provuar që zyrtarisht të formalizohen si aleanca të tipit çfarë e ka Bjellorusia me Rusinë, për shkak se megjithatë Serbinë e ndajnë disa shtete që janë anëtare të NATO-s e të cilat janë demokraci vërtetë liberale dhe pro-perëndimore dhe do të ishte vështirë që një ide e tillë të mbijetonte në shoqërinë serbe”.
Millosheviqi ishte rrëzuar nga pushteti në vitin 2000 dhe aleanca e Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë u përmend rrallë në publik.
Megjithëkëtë, siç kujton Kërstiq, Serbia asnjëherë nuk u distancua prej atij vendimi dhe përpjekjes për t’iu bashkuar aleancës së Lindjes në krye me Rusinë. Çështjen e riktheu në politikën serbe presidenti Tomislav Nikoliq në vitin 2014. Hyrja e Serbisë në aleancën e Rusisë dhe Bjellorusisë përbënte një nga prioritetet e politikës së jashtme të Partisë Radikale Serbe, pjesë e së cilës ishte edhe Nikoliq.
Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, kishte nxitur disa herë zgjerimin e aleancës edhe me Serbinë. Lukashenko, i cili ka imazhin e një lideri autokratik në Perëndim që nga viti 1994 kur BE-ja vendosi sanksione ndaj tij, i shërbehej pritje me nderime shtetërore në Beograd.
Bjellorusi ishte ndër liderët e rrallë që vizitoi zyrtarët serbë në mes të bombardimeve të NATO-s për të mbështetur Jugosllavinë e atëhershme dhe presidentin e saj, Slobodan Milosheviq. Kurse vizita më 2014 ishte e para e Lukashenkos në Beograd që nga viti 1999.
Ai promovoi Unionin Ekonomik Euro-aziatik, i cili përbëhet nga Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani me synimin që të përfshihet edhe Serbia.
Edhe Nikoliq kishte vizituar Bjellorusinë në mars të vitit 2013, kur i dorëzoi Lukashenkos Urdhrin e Republikës së Serbisë, për meritat e tij në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore midis Serbisë dhe Bjellorusisë. Serbia dhe Bjellorusia kishin nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, e cila mundëson vendosjen e papenguar të produkteve të përbashkëta në tregjet e Rusisë dhe të Kazakistanit.
Ideja fillestare për krijimin e Aleancës erdhi nga presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, në përpjekjen për të kapërcyer dallimet politike dhe ekonomike midis dy kombeve.
Bashkimi mes Rusisë dhe Bjellorusisë ishte bërë më 2 prill 1997. Ndërkaq, krijimi i Shtetit Federal të Rusisë dhe Bjellorusisë u nënshkrua më 8 dhjetor 1999. Synimi ishte krijimi i një federate që do ta kishte presidentin e përbashkët, parlamentin, flamurin, Kushtetutën, monedhën dhe ushtrinë. Në vitin 2006 ishin nënshkruar disa dokumente për të mundësuar një integrim më të madh politik, ekonomik dhe social të dy vendeve.
Gati 23 vjet më vonë, Serbia refuzoi t’i bashkohet botës perëndimore për t’i vendosur sanksione Rusisë pas sulmit në Ukrainë. Kjo qasje u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
“Sot, Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Regjimi në Beograd ka dënuar zyrtarisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Autoritetet në Serbi mbështesin integritetin territorial të Ukrainës. Është e qartë se politika zyrtare e Serbisë vazhdon të qëndrojë ulur në dy karrige ose, siç e quan regjimi në Beograd, ‘politikë e neutralitetit’. Megjithatë, ekziston rreziku që Serbia në një moment të caktuar për shkak të papërcaktueshmërisë, këmbënguljes dhe pasigurisë në këtë neutralitet, të përballet me sanksione të ashpra”, ka thënë Kërstiq.
Megjithëkëtë, Serbia votoi pro rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila dënon agresionin rus ndaj Ukrainës. Sipas Enver Hasanit, janë dy aspekte rreth këtij vendimi të Serbisë.
“E para, që Serbia iu bashkëngjit pjesës dërrmuese të vendeve të botës të cilat e kanë dënuar agresionin rus dhe e mbrojnë integritetin territorial të Ukrainës. Serbia sikurse edhe Kina këtë e bënë për arsye krejt të tjera. Të dyja këto vende mendojnë se me çdo kusht integriteti i tyre territorial mbrohet nëse vihen në anën e Ukrainës”, ka theksuar Hasani. “Ndërkaq, aspekti i dytë është ai politik, imediat në kuptimin që Serbia po të vendosë sanksione do të kishte reperkusione sa i përket prezencës ruse në shtetin serb”.
Me përjashtim të deklaratave individuale nga kongresistë amerikanë apo anëtarë të Parlamentit Evropian, Hasani nuk sheh se në këtë fazë ka gatishmëri nga ana e Perëndimit për ta ndëshkuar Serbinë.
“As në të ardhmen nuk shoh se do të ketë ndonjë çmim që mund ta paguajë Serbia për shkak se në gjeopolitikën e rajonit ajo e ka një peshë goxha të rëndësishme specifike. Kjo për shkak se është vendi i vetëm ku mund të ankorohen nëse jo rusët, atëherë kinezët, me të cilët krahas Perëndimit, Serbia mban raporte shumë miqësore. Prandaj, nuk mendoj se do të ketë ndonjë goditje ndaj Serbisë siç do të donim ne dhe siç e meriton prej anës së Perëndimit ose prej SHBA-së”, ka potencuar Hasani.
Ndryshe prej Serbisë, Kosova iu bashkua BE-së duke vendosur sanksione ndaj Rusisë. Ato përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave ndaj institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare dhe masa të tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe aktorët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për pushtimin rus në Ukrainë.