Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rregullorja për tarifa në dëgjim publik, një nen parasheh taksë 10 euro për hyrje në Prishtinë

Kaos prej kolonave në Prishtinë (FOTO)

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi Komunal i Prishtinës të martën, 31 mars, e ka vendosur në dëgjim publik Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e cila daton nga viti 2011. Në opinionin publik është veçuar neni 14 i kësaj rregulloreje i cili parasheh taksa komunale për hyrje të automjeteve në territorin e Prishtinës. 

Sipas këtij neni të rregullores, çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga kryeqytetit, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Asamblisti i Guxo, Jeton Mehmeti, në seancën e Kuvendit Komunal të martën ka thënë se rregullorja aktuale cenon të gjithë qytetarët, jo vetëm të Prishtinës. Sipas tij, neni 14 në aspektin juridik është shkelje e parimit të barazisë.

“Neni 14 është ndër nenet më problematike, këtu thuhet se çdo automjet i regjistruar jashtë kryeqytetit i nënshtrohet taksës 10 euro për hyrje. Ky nen është shumë problematik, juridikisht i cenueshëm sepse vendos 10 euro për automjetet jashtë territorit të kryeqytetit. Në aspektin juridik kjo bën shkelje të parimit të barazisë”, ka theksuar ai. 

E Gëzim Sveçla. nga Vetëvendosje, përveç taksës prej 10 euro, ka përmendur edhe atë që parashihet për qytetarët që nuk janë të Prishtinës dhe që akomodohen nëpër hotele në kryeqytet, të cilët me rregullore duhet të paguajnë 1 euro taksë. 

“Vjen prej Skenderajt e paguan 1 euro më shumë... ose taksa për automjete 10 euro, për besë 10 euro në Prishtinë kur nuk e ke një opsion alternativ, shtoja faktin se trafiku urban në Prishtinë jam i bindur që nuk është në gjendje t’i akomodojë të gjitha kërkesat e atyre që vinë në Prishtinë dhe nuk duan të paguajnë 10 euro taksën. Një taksë tjetër ishte për pompa, derivate, 1000 euro në vit, që i bie qytetarët e Prishtinës do ta paguajnë më shtrenjtë naftën dhe benzinën se qytetet e tjera. Është e rëndësishme të kemi kujdes gjatë përpilimit të kësaj rregulloreje sepse impakti mund të jetë i madh”, ka thënë ai të martën. 

Drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, në paraqitjen e ndryshim-plotësimit të rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, ka theksuar se ajo nuk pasqyron zhvillimin dinamik të kryeqytetit sot. 

Çka thotë Neni 14:

Taksa komunale për hyrje të automjeteve në territorin e Kryeqytetit

1.  Me këtë rregullore përcaktohet taksa komunale për hyrjen e automjeteve në territorin administrativ të Kryeqytetit.  

2. Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të Kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 (dhjetë) euro për hyrje.

3. Pagesa e taksës realizohet:
3.1. përmes pikave të autorizuara hyrëse;
3.2. përmes sistemit elektronik të pagesës;
3.3. ose përmes platformave të tjera të miratuara nga Kryeqyteti.

4. Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse:
4.1. automjetet e shërbimeve emergjente (ambulanca, zjarrfikës, polici);
4.2. automjetet e institucioneve publike në kryerje të detyrës zyrtare;
4.3. banorët rezidentë të Kryeqytetit (me dëshmi të vlefshme);
4.4. kategoritë e tjera të përcaktuara me vendim të veçantë të Kryetarit të Kryeqytetit.

5. Mos-pagesa e taksës përbën kundërvajtje dhe sanksionohet me gjobë në përputhje me legjislacionin në fuqi, me Neni 15 të kësaj rregulloreje.