Arbëri

Rregullorja e re përçan Institutin e Mjekësisë Ligjore

Një pjesë e stafit të Institutit të Mjekësisë Ligjore është duke kundërshtuar rregulloren e re për sistemimin e vendeve të punës, me arsyen se ajo e ka degraduar strukturën ekzistuese duke i rrezikuar edhe proceset e ndryshme, sikurse është çështja e personave të zhdukur. Një pjesë e stafit e ka ndërprerë edhe komunikimin me drejtorin e Institutit. Sipas tyre, shuarja e pozitave udhëheqëse dhe profesionale, si dhe riemërimet janë bërë me vendime abuzive nga ana e drejtorit si hakmarrje ndaj zyrtarëve të Institutit. Por drejtori Arsim Gërxhaliu ka mohuar akuzat, duke thënë se ndryshimet janë bërë me rekomandim të Bashkimit Evropian dhe se nuk kanë për qëllim largimin e askujt nga puna

Prishtinë, 24 shkurt - Fuqizimi i rregullores për riorganizimin e vendeve të punës, e cila u diskutua tre vjet nga tri qeveri të ndryshme dhe hyri në fuqi në tek në janar, ka prodhuar pakënaqësi brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Një pjesë e stafit të mbështetur nga Shoqata sindikale e ka ndërprerë edhe komunikimin me drejtorin e Institutit dhe Projektin IPA si aktorë të procesit.

Pakënaqësitë janë shoqëruar edhe me vendosjen e disa parullave brenda objektit.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Mjekësisë Ligjore, Nardi Sheqerxhiu, ka deklaruar se ndryshimet kanë rrezikuar disa procese sikurse ai për hulumtime shkencore dhe çështjen e personave të zhdukur. Sheqerxhiu, i cili ushtron pozitën e toksikologut mjekoligjor thotë se me rregulloren e re është degraduar në toksikolog analitik, e ngjashme me pozitën e kimistët.

“Ne si organizim sindikal vazhdimisht kemi kërkuar bashkëpunim me aktorët që kanë aprovuar këtë rregullore - drejtori, ministria dhe organet kompetente në Kryeministri. Kemi pasur një heshtje prej anës së tyre dhe deri më sot nuk ka pasur përgjigje nëse është ajo në kundërshtim me ligjin ose jo. Kjo ka bërë që ne ta pezullojmë komunikimin me drejtorin dhe projektin IPA”, ka thënë ai.

Megjithatë ekzaminimet mjekoligjore, hetimi në vendin e ngjarjes për personat e zhdukur dhe vdekjet e dyshimta janë duke vazhduar sipas rregullores së vjetër.

Gërxhaliu: Riorganizimi, kriter i BE-së

E drejtori i Institutit, Arsim Gërxhaliu, thotë se ndryshimet janë kërkesë e Bashkimit Evropian teksa ka shtuar se nuk kanë për qëllim shuarjen e pozitave.

“Ky riorganizim mbështetet në bazat e organizatave evropiane dhe thjesht kjo është IPA 2 projekti, pasi IPA 1 ka kaluar, dhe nuk rrezikojmë të humbim IPA 3 projektin, si dhe shtatë milionë, të cilët i janë ndarë Ministrisë së Drejtësisë, ku Mjekësia Ligjore do të jetë pronare e tyre me 33 për qind. Është punuar gjatë në këtë rregullore me grupet tona punuese dhe ekspertët e huaj, ku kanë marrë pjesë edhe Kryqi i Kuq ndërkombëtar, ekspertët e BE-së dhe EULEX-it”, ka thënë Gërxhaliu. “Interesi i Mjekësisë Ligjore është që t’i bashkëngjitet familjes evropiane dhe të hyjmë në rrjedhën e atyre standardeve që do ta bëjë kredibile çdo punë që kryhet në institucione. Qëllimi ka qenë që askush të mos mbetet pa vendin e tij të punës dhe secili të vendoset në pozita varësisht prej përgatitjes profesionale”.

Sindikata pretendon se me rregullore është degraduar struktura ekzistuese, duke e larguar plotësisht Divizionin për Hulumtime, i cili është modifikuar në strukturë më të ulët organizative.

“Marrë parasysh se instituti element kryesor e ka hulumtimin shkencor dhe statistikat, ato nuk janë të përfshira në rregulloren e re. Andaj i gjithë stafi e ka parë se është duke u degraduar Instituti i Mjekësisë Ligjore në një zyrë administrative teknike, duke marrë parasysh se kryhen vetëm ekzaminimet mjekoligjore, ndërsa nuk parashihet të ketë ndonjë hulumtim. Me këtë i humb rëndësia Institutit”, ka potencuar Sheqerxhiu.

Por Drejtori Gërxhaliu thotë se kriteret e Bashkimit Evropian nuk lejojnë duplifikim të organizatave.

“Kemi 8 mijë e 700 euro të planifikuara për ngritjen profesionale dhe trajnime për krejt institutin, kurse është kërkuar drejtori për menaxhimin e këtyre parave. Kjo kërkesë ka qenë. Dihet se Mjekësia Ligjore nuk është organ arsimor e as Ministri e Shëndetësisë për të shpërndarë specializime”, ka shtuar Gërxhaliu.

Me rregulloren e re, Sektori për identifikim dhe Sektori për marrëdhënie me familjarë të personave të zhdukur janë shkrirë në një divizion. Sindikalistët thonë se është kërkuar që çështja e personave të zhdukur ta gjejë respektin dhe vendin e merituar brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore e që nuk është përfillur pavarësisht se, sipas tyre, ishin të gatshëm për marrjen e të gjitha kompetencave nga EULEX-i, përfshirë edhe lëmin e Arkeologjisë.

“Injorimi i peticionit”

Naim Uka, në cilësinë e Udhëheqësit të Divizionit për Identifikim, Koordinim dhe Përkrahje, i cili merret me çështjen e personave të zhdukur thotë se kanë bartur shqetësimet e tyre dhe të zyrtarëve të divizioneve në lidhje me veprimet “tendencioze” për shkatërrimin e strukturës ekzistuese në Institutin e Mjekësisë Ligjore në çdo takim të grupit punues.

“Peticioni i nënshkruar nga 74 për qind e zyrtarëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore është injoruar nga personat që bartin përgjegjësinë për tentimin e shkatërrimit të strukturës organizative të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Si rezultat i injorimit të këtij peticioni sot e kësaj dite është në fuqi vendimi i mekanizmave sindikalë në IML, për bojkotimin e raporteve me drejtorin e IML-së, si përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar”, ka thënë Uka.

Ai ka shtuar se zyrtarët që kanë punuar në këtë rregullore tani nuk e pranojnë autorësinë përveç drejtorit. Sipas tij, aty janë vendosur paragrafë që bien ndesh me Ligjin, duke e konsideruar rregulloren mbi ligjin.

“Shuarja e pozitave të ndryshme udhëheqëse dhe profesionale, si dhe riemërimet me vendime abuzive nga ana e drejtorit janë bërë si hakmarrje ndaj zyrtarëve në IML, për mosbindje në urdhrat e tij për ndryshimet e planifikuara, gjithmonë duke u fshehur prapa storieve inekzistente. Hakmarrja e tij personale ka vazhduar duke bërë vërejtje joligjore me shkrim ndaj 5 kolegëve të tij (2 udhëheqësve të divizioneve, 1 profesori universitar, antropologut të vetëm mjekoligjor në regjion dhe toksikologut të vetëm mjekoligjor), vërejtje këto të cilat Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i ka hedhur poshtë si të pabaza”, ka theksuar Uka.

“Punët në Institut duhet të kryhen normal dhe secili do t’i bartë pasojat nëse nuk i kryen detyrat elementare bazuar në ligjet ekzistuese dhe kontratat që i kanë. Para së gjithash e kanë gjetur fajtorin tek unë për rregulloren. Por sikurse ata edhe unë kam qenë pjesë e grupit punues që është krijuar nga Ministria e Drejtësisë”, ka qenë përgjigjja e Gërxhaliut karshi akuzave të punonjësve.

Nëpërmjet shkresave të shumta sindikalistët u janë drejtuar edhe Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyrës së Kryeministrit dhe Avokatit të Popullit. Në njërën prej tyre thuhet se vendimi për tkurrjen e strukturës ekzistuese vjen në kohën kur janë mbi 1.600 të pagjetur dhe rreth 3.000 keqidentifikime mjekoligjore, të cilat duhet të hulumtohen nga fillimi.

Por sipas Gërxhaliut nuk ekziston një rrezik i tillë, sepse me Ligjin për mjekësinë ligjore kjo e drejtë i takon Komisionit Qeveritar dhe se Instituti nuk është organ që hulumton krimet e luftës. Ai ka shtuar se antropologët e Institutit do ta kryejnë detyrën e tyre dhe se raportet e përpiluara do t’u dorëzohen Komisionit, Prokurorisë dhe Njësitit të policisë për krime lufte.

Në lidhje me zhvillimet brenda Institutit, KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Kryeministrit, por ka munguar përgjigjja.