Arbëri

Rizvanolli: Nga sot KEK-u furnizon ndërmarrjet që dolën në treg të hapur pa kontratë furnizimi

KEK

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se që nga e diela e 1 qershorit Korporata Energjetike e Kosovës do t’i furnizojë të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në treg të lirë dhe nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi.

Përmes një postimi në Facebook, Rizvanolli ka thënë se çmimi mesatar do të jetë 64.55 euro/MWh, përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. 

“Që nga sot, KEK-u, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), furnizon të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në treg të lirë e nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi. KEK-u njofton se energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme, pra 1 qershor, është siguruar me çmim mesatar prej 64.55 €/MWh përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX). U bëjmë thirrje ndërmarrjeve që në afat sa më të shkurtër dhe brenda afatit ligjor të nënshkruajnë marrëveshjen e furnizimit me KEK si FMF, ose të gjejnë furnizues alternativ”, ka thënë ajo. 

Tutje thuhet se nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë pritet që ta monitorojë tregun dhe të ndihmojë të gjitha palët për një tranzicion sa më të lehtë. 

Ndërsa KEK-u ka thënë se është përcaktuar Furnizues i Mundësisë së Fundit deri më 30 korrik për konsumatorët që nuk kanë përzgjedhur furnizues në tregun e lirë.

“Në përputhje me këtë obligim, më 31 Maj 2025, KEK ka siguruar me sukses kapacitetet e nevojshme për blerje të energjisë në tregun e hapur, me një çmim mesatar prej 64.55 €/MWh, i vlefshëm për datën 01 Qershor 2025”, thuhet në njoftim të KEK-ut.