Arbëri

Rizanaj: Rrjeti propagandistik rus “Pravda” ka tri qëllime me publikime në shqip

Festim Rizanaj, hulumtues në platformën digjitale për luftën kundër çrregullimit informativ “Hibrid.info”, ka thënë se publikimet e artikujve në gjuhën shqipe, nga rrjeti propagandistik rus “Pravda” ka tri qëllime.

Një ditë më parë, kjo platformë publikoi raportin “Rrjeti propagandistik rus Pravda dhe Ballkani”, që bënte të ditur se në gjuhën shqipe nga ky rrjet për një vit janë publikuar afro 3000 artikuj. Në “Interaktiv” të KTV-së, Rizanaj ka thënë se qëllimi i këtyre publikimeve është që të shtyhen narrativa proruse dhe proserbe dhe që përmes tyre të bëhet manipulimi i inteligjencës artificiale.

“Duke u nisur nga fakti se lufta hibride informative zhvillohet në sferën digjitale, ai që e mbush atë sferë digjitale në njëfarë forme dominon me narrativën e tij dhe njerëzit shërbehen me të. Edhe ky operacion e ka këtë synim. E para është manipulimi i inteligjencës artificiale që njihet si abuzimi i qëllimshëm i ‘chatbotëve’ në mënyrë që gjatë trajnimeve të ‘chatbotëve’ të ushqehen me këto narrative edhe në shqip, në këtë rast, ruse, pro ruse dhe proserbe. E dyta është saturimi masiv i përmbajtjes. Rritja masive e dukshmërisë së këtyre narrativave në sferën digjitale në mënyrë që të krijojnë huti dhe dyshime te ata që i klikojnë dhe kërkojnë dhe e treta është që me këtë shpërndarje të madhe të krijohet iluzioni i të vërtetës se nëse të del disa herë, ti fillon të dyshosh apo edhe të besosh, sepse rregullisht po të del përpara”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Rizanaj ka thënë se artikujt e këtij rrjeti rus kanë target “statusin e Kosovës çështjen e ‘diskriminimit të serbëve’ në Kosovë dhe anti-Qeveri dhe krahasime me Krimenë”. Ai ka bërë të ditur se “Pravda” është rrjet i automatizuar që merr artikuj nga media të caktuara ruse. Rizanaj ka shtuar se ky rrjet funksionon nëpërmjet ndryshimit të domaineve. Sipas tij, mënyra më e mirë që të ndalet depërtimi i tij është vetëdijesimi i audiencës që kur përballet me artikuj të tillë të dijë se ato janë propagandistike dhe të mos i marrin si të mirëqena.

Rrjeti propagandistik “Pravda” funksionon edhe në gjuhë të tjera. Sipas Rizanajt, nga 3000 artikuj në gjuhën shqipe, rreth 1000 janë analizuar dhe në mesin e tyre ka pasur përmbajtje proruse e proserbe dhe anti-NATO, anti-BE e anti-SHBA. “Kosova identifikohet si jo shtet, krahasohet me Krimenë dhe Ukrainën, ndërsa zhvillimet në vendbanimet me shumicë serbe interpretohen si terrorizëm institucional ndaj komunitetit serb”, ka thënë ai.

Gjetje tjetër e raportit është se domainet për shtetet e Ballkanit Perëndimor janë krijuar në ditë të njëjta apo të përafërta. Serbia është një prej targeteve kryesore të këtij rrjeti në botë.

Edhe pse ky rrjet nuk gëzon audiencë të madhe aktualisht, sipas Rizanajt, rreziku është për të ardhmen nga mbushja e sferës digjitale.