Arbëri

Rindërtohet pllaka përkujtimore e “Ahmet Shtimes” në fshatin Topillë

Zyrtarët komunal të Shtimes kanë njoftuar se është rindërtuar pllaka përkujtimore e atdhetarit “Ahmet Shtimja” e cila javë më parë ishte rrënuar derisa në atë lokacion po zhvilloheshin disa punime në rrugë.

Pas publikimit të KOHËS javën e kaluar lidhur me dëmtimin e kësaj pllake, Policia e Kosovës është vënë në lëvizje për ta hetuar rastin. Ndërkohë, kompania e cila po e ndërtonte rrugën në atë lokacion e kishte rindërtuar sërish në të njëjtin vend.

Lulzim Sahiti, shef për informim në komunën e Shtimes ka thënë se fillimisht nuk është bërë e ditur se nga kush është dëmtuar pllaka përkujtimore e “Ahmet Shtimes” në fshatin Topillë, ndërkohë pas ngritjes së shqetësimit të qytetarëve dhe të komunës ajo është rindërtuar sërish nga kompania e cila e kishte larguar atë me qëllim të realizimit të punimeve në rrugë.

“Pas intervenimeve dhe shqetësimeve të ngritura, kompania e cila po e ndërtonte rrugën në atë lokacion e ka rindërtuar sërish në të njëjtin vend dhe nuk ka hapësirë për shqetësime”, ka thënë Sahiti.

Ndërkaq, Aziz Beqaj i cili sëbashku me disa bashkëfshatar e kishte ndërtuar këtë pllakë pas luftës, ka thënë se atdhetari “Ahmet Shtimja” e meriton një pllakë përkujtimore edhe më të mirë nga institucionet lokale.

“Pas rrënimit të pllakës ne nuk e kemi ditur se nga kush është rrënuar dhe për çfarë arsyeje, mirëpo tash rindërtimi i saj nga kushdo qoftë është një shenjë e mirë. Sidoqoftë ne kërkojmë nga komuna që ajo pllakë të bëhet më e mirë dhe sepse ka mundësi të ndahet një shumë e vogël e parave për ta përkujtuar ish atdhetarin tonë “Ahmet Shtimja”. Pra, kjo plakë nuk mjafton sepse është e vjetruar dhe mund të dëmtohet sërish qoftë nga të erërat dhe të reshurat, prandaj komuna duhet ta ketë parasysh këtë çështje”, ka kërkuar Beqaj.