Institucionet shëndetësore janë aktivizuar, meqë në së paku katër komuna janë diagnostikuar fëmijë me sëmundjen e fruthit. Në Infektive janë hospitalizuar dhjetë fëmijë, e në Shtime është mbyllur një çerdhe, pasi sëmundja është lajmëruar në dy raste. Institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët
10 fëmijë janë hospitalizuar, meqë janë prekur nga sëmundja ngjitëse e fruthit.
E çerdhja “Albiona Asllani” në fshatin Muzeqinë të Shtimes është mbyllur prej tri ditësh, meqë dy fëmijë që kalonin ditën aty, u diagnostikuan me fruth.
Në çerdhet e tjera të komunës është ndaluar përkohësisht pranimi i fëmijëve të pa vaksinuar.
Anita Kurtit, e cila është shefe e kabinetit të kryetarit të Komunës së Shtimes, tha të jenë aktivizuar autoritetet, pas evidentimit të rasteve.
“Me datën 13 maj kjo çerdhe është inspektuar nga inspektorati sanitar i ministrisë së Shëndetësisë dhe me qëllim që të mos përhapet sëmundja edhe tek fëmijët e tjerë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër. Drejtoria e arsimit dhe shëndetësisë kanë marrë hapa konkret ku janë duke bërë kontrolle sistematike tek parafillorët dhe tek klasat e para që ta marrin dozën e plotë të vaksinës kundër fruthit”, ka bërë të ditur Kurti.
Në Klinikën Infektive të QKUK-së, fëmijët e hospitalizuar, e që janë diagnostikuar me fruth, janë të moshave nga 1 deri në 3 vjeç.
Drejtori i klinikës, Arben Vishaj, tregoi se të 10 fëmijët nuk ishin vaksinuar kundër fruthit.
“Mosvaksinimi i tyre na ka sjellë në këtë situatë. Pa dyshim që është sëmundje ngjitëse. Fruthi është sëmundje e parandalueshme përmes vaksinimit. Rekomandimi im për të gjithë prindërit që nuk kanë vaksinuar fëmijët e tyre është që ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që të parandalojmë praninë e sëmundjes dhe nevojën për spitalizim”, ka theksuar Vishaj.
Thirrje për vaksinim ka bërë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Sipas njoftimit të këtij instituti, ka nisur vaksinimi i fëmijëve që për arsye të ndryshme kanë lëshuar ndonjërën nga dy dozat kundër fruthit.
“Përveç vaksinimit të rregullt, janë duke u bërë vaksinime "catch-up" për të vaksinuar ata fëmijë që për arsye të ndryshme kanë lëshuar ndonjërën nga dy dozat, aktivitete të edukimit shëndetësor, etj. Parandalimi më i mirë është vaksinimi, dhe IKSHPK-ja u bën thirrje prindërve që pa asnjë hezitim t’i vaksinojnë fëmijët, duke qenë që vaksina kundër fruthit jepet prej më shumë se 60 vjetësh në dy doza, është e sigurt dhe efektive dhe mbron rreth 100% ndaj fruthit”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
Raste të fruthit janë konfirmuar edhe në komuna të tjera - katër raste në Ferizaj dhe nga një në Graçanicë, Lipjan dhe Fushë-Kosovë.