Drejtoria Komunale e Arsimit në Shtime ka njoftuar se të gjitha shkollat në këtë komunë që ishin të mbyllura për shkak të numrit të madh të të infektuarve me COVID, tashmë janë rikthyer me mësim të rregullt me prani fizike dhe me orar të plotë. Vetëm gjatë javës së kaluar katër shkolla në qytetin e Shtimes patën kaluar në mësim online.
Lulzim Sahiti, drejtor i Arsimit në Komunën e Shtimes, ka njoftuar të gjithë nxënësit që ende nuk e kanë kuptuar se shkollat janë hapur, të rikthehen në mësim të rregullt. Sipas Sahiti gjatë javëve të fundit mbi 200 nxënës kanë qenë të infektuar dhe afër 100 mësimdhënës së bashku me punonjësit teknik.
“Ftojmë të gjithë nxënësit që ende nuk e kanë kuptuar se mësimi në katër shkolla të qytetit të Shtimes të cilat kanë qenë të mbyllura për shkak të numrit të madh të të infektuarve, tashmë ka rifilluar procesi i rregullt, prandaj do të vazhdojmë me orar të plotë siç është planifikuar edhe nga drejtorët e shkollave”, ka thënë Sahiti.
Ai ka shtuar se të gjitha shkollat e komunës kanë ngrohje të mjaftueshme derisa përgatitjet janë bërë me kohë.