Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilia Rexhepi, e ka quajtur “të turpshme, të papranueshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme” deklaratën e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që ka propozuar një Qeveri tranzicioni me partitë shqiptare dhe me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, sipas dispozitave kushtetuese.
“E turpshme, e papranueshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme! Me këto fjalë mund ta përshkruaj deklaratën e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilën komunitetet jo-shumicë në Kosovë injorohen dhe eliminohen hapur nga dialogu politik. Një qasje e tillë është shoviniste, politikisht regresive dhe thellësisht e dëmshme për vizionin e një Kosove moderne dhe multietnike. Si zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të drejtat e njeriut dhe për çështjet e komuniteteve jo-shumicë, por para së gjithash si boshnjakja më e votuar në zgjedhjet e fundit, duhet ta them qartë dhe me zë të lartë: Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë shtet i rezervuar vetëm për një grup etnik. Ajo i përket çdo qytetari të saj – qoftë ai shqiptar, boshnjak, turk, rom, serb, ashkali, egjiptian, goran apo kushdo tjetër që jeton dhe ndërton këtë vend”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.
Ajo ka thënë se “përjashtimi i përfaqësuesve të komuniteteve tjera, është mesazh urrejtje dhe mohimi të të drejtave themelore të njeriut”.
“Retorika që bën thirrje për formimin e qeverisë vetëm përmes partive shqiptare, duke përjashtuar përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, nuk është asgjë tjetër veçse një mesazh urrejtjeje dhe mohimi i të drejtave themelore të njeriut, si dhe një shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo nuk është vetëm një gabim politik – kjo është një rënie morale. Është tronditëse dhe zhgënjyese që fjalë të tilla vijnë nga një lider i ri i LDK-së, nga i cili pritej një vizion përparimtar, bashkues e jo përçarës. Një deklaratë e tillë është fyerje për të gjithë ne që e konsiderojmë Republikën e Kosovës si shtetin tonë dhe që punojmë ditë e natë për demokratizimin dhe rrugën e saj evropiane. Nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Do të jemi zëri i fuqishëm sa herë që tentohet të heshtet barazia, sepse Kosova është shtet multietnik të cilin do ta ndërtojmë së bashku”, ka shkruar Rexhepi, e cila ka postuar deklaratën e Abdixhikut në konferencë për media.
Asaj i ka reaguar deputeti i LDK-së, Besian Mustafa. Ai ka publikuar letrën që kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ia ka kthyer kryeministrit në detyrë Albin Kurti, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Emilija Rexhepi është mirë ta lexojë të gjithë letrën, ngadalë e me kujdes, para se të postojë akuza pa asnjë bazë. Nuk hidhet poshtë rezoni për qefin e Albinit…” – ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ai ka postuar edhe pjesën e letrës ku Abdixhiku propozicion Qeveri Nacionale të Tranzicionit, me t gjitha partitë shqiptare dhe në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe me përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë.