Arbëri

Rexhaj: Kam shpresë që Kurti e Limaj do të merren vesh për qeverinë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se ka shpresë që kryetari i kësaj partie, Albin Kurti dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të merren vesh për formimin e një qeverie të përbashkët.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Rexhaj ka thënë se ka përafrim qëndrimesh mes palëve. 

Megjithatë, ai shprehu dëshirën që kjo qeveri të përbëhej edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Meqenëse Kurti mbrëmë e përmendi se ka pasur takime me Fatmir Limajn, e përmendi një parakusht aty, unë kam shpresë që Kurti dhe Limaj do të merren vesh, pastaj është çështje e një deputeti aty. Ka përafrim qëndrimesh dhe nuk mendoj se nuk mund të bëhet kjo gjë. Do të doja që ta kishim një qeveri që do të përbëhej edhe prej LDK-së”, ka thënë ai. 


Rexhaj: LDK-ja dëshiron qeveri gjithëpërfshirëse sepse nuk i konvenojnë zgjedhjet

Derisa ka folur për refuzimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion, deputeti Arbër Rexhaj ka thënë se kjo parti dëshiron qeveri gjithëpërfshirëse sepse nuk i konvenojnë zgjedhjet. 

“LDK-ja qysh prej pavarësisë ka pasur koalicion me të gjitha subjektet politike, edhe me ata që i ka akuzuar shumë rëndë. Është kjo LDK që PDK-në e ka akuzuar me vite për vrasje politike dhe ka bërë koalicion me të. Në aspektin përmbajtjesor, kemi një LDK që ka pasur koalicion me PDK-në dhe Listën Serbe. LDK-ja as që ka dashur të vijë nëpër takime, pra ka pasur një lloj refuzimi klasik. Ajo dëshiron të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse sepse nuk i konvenojnë zgjedhjet, sepse nuk do me VV-në. Atëherë pse nuk shkon me PDK-në?”, ka thënë ai. 

Rexhaj tutje ka thënë se ajo çfarë kërkon LDK-ja është devijim politik i vullnetit qytetar. 

“Sigurisht që do të ketë veprime të tjera, të cilat besoj që po i mendon Kurti, mirëpo, po them që ka pasur veprime konkrete. Ne i kemi thirrur në takim subjektet politike, në takim na ka munguar njëri. Menjëherë kemi kërkuar koalicion. Mendoj se Kurti si vizionar ka menduar në kuptimin e një qeverie që e tejkalon sfidën e zgjedhjes së presidentit”, ka shtuar Rexhaj.