Mbi 500 mijë pasagjerë i ka pritur gjatë muajit gusht Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Zëdhënësja e aeroportit Valentina Gara ka deklaruar për "KosovaPress" se kjo është hera e parë që është shënuar kjo shifër, derisa vlerësohet edhe si rekord historik.
“Janari i këtij viti ka shënuar një rritje të numrit të udhëtarëve deri në muajin qershor rreth 16 për qind. Çdo vit pothuajse kemi arritur rekord në numër të udhëtarëve, por është hera e parë që ne brenda një muaji shënojmë mbi 500 mijë udhëtarë apo gjysmë milioni udhëtarësh”, është shprehur Gara.
Sipas saj, destinacionet më të frekuentuara vazhdojnë të jenë Zvicra dhe Gjermania, të cilat prijnë me numrin më të madh të udhëtarëve që udhëtojnë përmes këtij aeroporti.
“Akoma mbetet shteti zviceran dhe gjerman, të cilët prijnë me numër të udhëtarëve. Pas tyre vijnë Turqia, Austria dhe vendet e tjera evropiane e botërore”, ka thënë Gara.
Ajo poashtu ka njoftuar për shtimin e disa linjave të reja. Nga 28 shtatori udhëtarët do të mund të udhëtojnë në Lyon të Francës dhe nga data 1 tetor do të ketë fluturime edhe për në Arabinë Saudite në Jeddah. Ndërkaq, këtë vit kanë filluar fluturimet edhe për Helsinki dhe Paris.