Arbëri

Rekord pas rekordi, Aeroporti i Prishtinës “vloi” në korrik

Aeroporti "Adem Jashari"

Gati 460 mijë pasagjerë kanë shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në muajin korrik sivjet. Shifrat paraqesin muajin më të suksesshëm deri tash.

Me saktësisht 458 mijë e 348 udhëtarë, ky muaj pati 9.24 për qind më shumë pasagjerë se në muajin korrik të vitit të shkuar. Edhe numri i fluturimeve për dhe nga Prishtina u rrit për 8.11 për qind. Sivjet në korrik ishin 3298 fluturime, ndërsa në korrikun 2024 ishin 2958 fluturime me 419 mijë e 578 pasagjerë.

“Duke fluturuar drejt horizonteve më të larta!” shkruhet në faqen e Aeroportit të Prishtinës në Instagram, në të cilin paraqiten statistikat.

E ky rekord i korrikut vjen pas një sërë rekordesh që janë arritur në Aeroportin e Prishtinës. Çdo muaj i deritashëm i vitit 2025 ka qenë me më shumë pasagjer se muajt e njëjtë të vitit të shkuar.

Janari sivjet pati gati 20 për qind më shumë pasagjerë se një vit më herët, shkurti rreth 16 për qind, marsi mbi 11 për qind, prilli mbi 22 për qind, maji mbi 13 dhe qershori mbi 17 për qind.

Në bazë të një matjeje të publikuar javë më parë, nga ACI Europe, Aeroporti i Prishtinës ishte i katërti me rritjen më të madhe që nga viti 2019. Numri i pasagjerëve nga ajo periudhë u rrit për 72.1 për qind.

Vitin e shkuar, ky Aeroport për herë të parë tejkaloi numrin e katër milionë pasagjerëve brenda një viti.