Arbëri

Refuzojnë punën, duan ndihmë sociale

Mbi 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë figurojnë si përfitues të skemave sociale. Por disa prej tyre, edhe pse janë të regjistruar si punëkërkues, hezitojnë të pranojnë punë. Nga Qendra për Punë Sociale dhe nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thonë se me Ligjin e ri do të ketë sanksione për ata që refuzojnë të marrin pjesë në shërbimet e punësimit.

Pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë dhe ankesave për mungesë të vendeve të punës, disa punëkërkues që janë pjesë e asistencës sociale refuzojnë të punojnë.

Zyrtarë të Qendrave të Punësimit nëpër komuna jozyrtarisht thonë se edhe pse iu ofrohet punë, disa prej tyre sjellin dokumente mbi gjendjen shëndetësore, vetëm që të mos largohen nga asistenca sociale.

Aktualisht janë 25.514 familje me 101.621 anëtarë, që janë përfitues të skemave sociale.

Sociologu Blerim Shabani përmend disa nga faktorët që determinojnë hezitimin për të pranuar mundësitë që iu ofrojnë zyrat e punësimit.

“Ne jemi në dijeni që ekonomia e Kosovës është ende në nivelin e dobët të funksionimit dhe shanseve, dhe kjo shkakton një lloj pasigurie te punëkërkuesit aktivë, por edhe tek kategoria e personave që marrin ndihmë sociale, por që janë punëkërkues aktiv dhe të aftë për punë. Mungesa e kontratave, punësimet sezonale, ndonjëherë mospërputhshmëria e përgatitjes me mundësitë që iu ofrohen edhe ndoshta faktori tjetër shuma e vogël e pagave që iu ofrohen si mundësi”, shprehet ai.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, secili anëtar i familjes që është punëkërkues dhe refuzon dy herë brenda një periudhe të shkurtër punësimin, largohet nga skema e socialit.

Sipas Vehbi Mujkut, drejtor në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, numri i familjeve që janë përjashtuar është relativisht i vogël, për shkak të pandemisë.

“Kemi përgatitur bazën ligjore dhe infrastrukturën me bazën e të dhënave, ku fillimisht do të kategorizohen si kategori me e rrezikuar për jetesë, kategoria e përfituesve të asistencës sociale, fillimisht kategoria e dytë ata që përfitojnë nga asistenca sociale dhe do t’iu mundësojmë atyre që të përfitojnë një vend pune dhe të mos jenë më barrë e shtetit”,

Ndërkohë, nga Ministria e Financave nuk kanë treguar se sa është numri i personave që janë larguar nga asistenca shkaku i refuzimit të punës. Nga kjo ministri po ashtu është bërë e ditur se vitin e ardhshëm do të jetë i gatshëm edhe Ligji i ri për Skemën e ndihmës Sociale.

Ligji i ri, sipas saj, do të parashohë sanksione më të rrepta për ata që refuzojnë të marrin pjesë në masat aktive të tregut të punës.

“Ligji i ri parasheh sanksione më të rrepta, si dhe zbatim të tyre për përfituesit e SNS-së, të cilët refuzojnë të marrin pjesë në masat aktive të tregut të punës apo shërbimet e punësimit të cilat u ofrohen nga Zyrat e Punësimit të APRK-së, institucioneve qendrore dhe lokale apo ofrues të tjerë të kontraktuar të shërbimeve të punësimit (p.sh. OJQ-të, ndërmarrjet sociale, ofruesit privatë, etj.)”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

Në Agjencinë e Punësimit janë të regjistruar mbi 110 mijë punëkërkues.

Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, rreth 360 mijë persona janë të punësuar.