Arbëri

Refuzohet kërkesa për përjashtimin e prokurorit nga rasti “Ibër-Lepenci”

Varagë

Pamje nga sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit

Foto: Driton Paçarada

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special, Bekim Kodraliu, nga lënda për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka thënë Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, për “BetimipërDrejtësi”.

Më 24 dhjetor, seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq si të akuzuar për kryerje të veprës terroriste, si dhe Igor Dimoviq, si të akuzuar për posedim të paautorizuar të armëve, ishte shtyrë për shkak se mbrojtësi i Jova Viqentijeviqit pati njoftuar se ka bërë kërkesë në Prokurorinë Speciale për përjashtim nga rasti të prokurorit Kodraliu.

Avokati Nebojsha Vllajiq pati se prokurori i ka shpërfillur detyrimet e tij për t’i marrë për bazë provat shfajësuese dhe, sipas tij, kjo është hera e parë që e bën një kërkesë të tillë pas gati 30 vjetësh si avokat.

Me këtë propozim qe pajtuar edhe avokati Milosh Deleviq, i cili tha se prokurori nuk ia aprovoi as kërkesat gjatë fazës së hetimit.

Prokurori special Bekim Kodraliu pati deklaruar se janë pesë arsye që i parasheh kodi i procedurës penale, por asnjë nga këto nuk i ka argumentuar mbrojtja gjatë kërkesave që ka shtruar.

Kodraliu pati thënë se sulmi ka qenë profesional, ndërsa hetimi është zhvilluar edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ai pati thënë po ashtu se ka bërë edhe përpjekje për t’i marrë komunikimet e të pandehurve me telefonat me kartela të Serbisë, porse ato nuk i janë dorëzuar kurrë nga autoritetet serbe.

Gjyqtari Vesel Ismaili e pati ndërprerë seancën deri në shqyrtimin e kërkesës së Vllajiqit nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale.

Vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit u janë gjetur baltë në çizme që përputhet për nga struktura, ngjyra dhe përbërja me atë që është gjetur në vendin ku është kryer sulmi terrorist me eksploziv, më 29 nëntor 2024. Aktakuza është ngritur më 9 dhjetor 2024.