Përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partiake kanë reaguar për vrasjen e një gruaje në Pejë që ndodhi të martën e edhe për vrasjen e së premtes në Ferizaj, duke e konsideruar situatën alarmante.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për ndalje me çdo kusht të fenomenit të tmerrshëm të vrasjeve të grave në Kosovë. Në iniciativën “Thinking of you”, në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani ka bërë thirrje për angazhim të institucioneve që të ndalet dhuna mbi baza gjinore.
“Fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar sot në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid me përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht. Mënyra e vetme për të ndalë atë është nëse rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet dhe si komb. Duhet të çohemi në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash dhe gra për të humbur. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve që të ndalim njëherë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore”, ka thënë ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se dënimi maksimal është minimumi për vrasësit pasi ata “po e konsiderojnë të drejtë absolute vrasjen e grave”.
Sipas Kusarit, dhuna ndaj grave po shpërfaqet brutalisht çdo ditë.
“Viktima e dytë e femicidit në Kosovë brenda pak ditëve, nga Ferizaji në Pejë. Viktima e sotme prapë e vrarë nga bashkëshorti në shtëpinë e saj. Kjo është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë. Numër alarmant i burrave në shoqëri po e konsiderojnë të drejtën absolute deri në vrasje, ndaj gruas dhe kjo kërkon trajtim serioz në të gjitha nivelet. Denimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa trajtimi i normave shoqërore në thelbin e tyre duhet rishikuar dhe ridefinuar. Nuk mund të humbim vajzat dhe gratë ndaj dhunës së pakontrollë që po shpërfaqet brutalisht çdo ditë e më shumë”, ka shkruar në Facebook deputetja e partisë në pushtet.
Alarmante e ka konsideruar situatën edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
“Edhe një grua u vra sot në Pejë. Nga bashkëshorti. Situata është alarmante. S’po mundem me gjetë as fjalë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Për rastin ka reaguar edhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë.
“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë, punëtores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe urtësinë që e ka karakterizuar personalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagim.
Konjufca kërkon konsolidim të gjyqësisë dhe sigurisë për parandalim të vrasjeve të grave
Me një minutë heshtje për gruan që u vra në Pejë ka nisur dita e dytë e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se duhet të ketë konsolidim të mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë që rastet e tilla të mos ndodhin.
“Vërtetë sot u zgjuam me një lajm të trishtueshëm. Vrasja edhe e një gruaje tjetër në qytetin e Pejës pas asaj në Ferizaj. Ajo që duhet të ndodhë është vërtetë konsolidimi i mekanizmave tonë të sigurisë e gjyqësisë që rastet e tilla të mos ndodhin”, ka thënë ai.
Një grua dyshohet të jetë vrarë në Pejë nga bashkëshorti i saj, mëngjesin e së martës.
Një tjetër grua është vrarë të premten e javës së kaluar në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj nga bashkëshorti i saj.
Krasniqi kërkon task-forcë për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet
Për vrasjen e gruas në Pejë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Ai ka thënë se ky rast është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka përgjegjësi për garantim të sigurisë së qytetarëve.
“Dy gra të vrara në tri ditë nga partnerët e tyre – të cilët kanë qenë edhe më parë të denoncuar në polici për çështje të dhunës në familje. Ky është alarmi që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve – e institucionet shtetërore kanë më së shumti”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij çfarëdo që është duke bërë aktualisht Qeveria e Kosovës, nuk është më e rëndësishme sesa siguria e grave në Kosovë.
“Prandaj, ju bëjë thirrje që urgjentisht të krijojnë një task-forcë me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet. Duhet vepruar pa justifikime dhe pa përjashtime. Pa pardon për recidivistët. Me ndëshkueshmëri maksimale për dhunuesit dhe vrasësit e grave. Duhet garantuar mbrojtje, mbështetje dhe siguri për gratë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve për veprim. “Mos lejoni që Kosova të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak. Lëvizni, ju lutem, sepse nuk është momenti për fjalë!”, ka shkruar ai.
Haradinaj pas vrasjes së gruas në Pejë: Është urgjencë që gjërat të marrin kahje tjetër
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se vrasjet duhet të ndalen, shoqëria të reflektojë e drejtësia ta kryej punën e saj.
Ai ka thënë se është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe.
“I trishtueshëm lajmi për vrasjen e gruas që ndodhi sot në Pejë. Raste të tilla që fatkeqësisht po ndodhin shpesh në vendin tonë, janë të papranueshme dhe është tejkaluar çdo limit njerëzor. Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryej punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Rrjeti i Grave: Vrasja e grave duhet të trajtohet me urgjencë kombëtare
Pas vrasjes në Pejë ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK). Në reagimin e tyre thuhet se vrasja e grave duhet të trajtohet me urgjencë kombëtare.
Sipas tyre vrasjet e grave kanë për motiv gjininë dhe se gratë po vriten vetëm pse janë gra.
“Burrat po vazhdojnë të mendojnë se ata kanë të drejtë të vendosin për jetën e grave dhe vajzave që i rrethojnë”, thuhet në reagimin e RRGK-së.
Në reagim thuhet se e gjithë shoqëria duhet të bëhet zëri i grave dhe i vajzave.
“Sot të gjithë duhet të ndihemi fajtor për tolerancën që e kemi ndaj dhunës e ndaj vrasjeve të grave. Vrasjet e grave duhet të trajtohen me urgjencë kombëtare. Sot shteti ynë duhet të fillojë menjëherë që me urgjencë ta trajtojë parandalimin e dhunës me bazë gjinore e të femicidit duke siguruar që të gjithë akterët relevant për trajtim të dhunës me bazë gjinore kanë në dispozicion të gjithë mekanizmat me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për viktimat, me viktimën në qendër, ashtu siç e kërkon edhe Konventa e Stambollit, pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Angazhim në ndryshim të stereotipeve gjinore përmes edukimit të gjeneratave për respektim të lirive dhe të drejtave të secilit qytetar e qytetare të Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas tyre sistemi mbrojtës duhet të zotohet se do të bëjë çmos që ushtruesit e dhunës të marrin dënimet meritore e që viktimat do të trajtohen me dinjitet e me përkushtim që përjetimet e dhunës të mos ju përsëriten.
"Sot shoqëria në përgjithësi duhet ta mbajë veten përgjegjëse për vrasjet e grave dhe dhunën sistematike që gratë po përjetojnë. Vetëm të bashkuar mund ta luftojmë dhunën në bazë gjinore dhe vrasjet e grave”, thuhet në reagim.
Abdixhiku: Shteti duhet t'i mbrojë gratë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka ftuar organet e sigurisë të veprojnë me përgjegjësi ndaj rasteve të tilla, duke thënë se shteti “duhet të jetë mburojë për gratë”.
“Jeta e tyre nuk guxon të mbetet jetë për mbijetesë. Nga lehtësia e posedimit të armës së zjarrit, te gjendja reaktive e institucioneve tona, kushtet strehuese të grave që kërkojnë mbrojtje, e gjuha denigruese ndaj grave; problemet i kemi të shumta e veprimet plotësisht të pamjaftueshme. LDK do ta shqyrtojë çdo mundësi institucionale që të ngritë diskutimin rreth vendimmarrjes institucionale për parandalimin e rasteve të tilla”, ka shkruar LDK-ja në Facebook.