Arbëri

Reagime lidhur me ligjëratën rreth Speciales të mbajtur në një shkollë në kryeqytet, Komuna paralajmëron masa

Komuna e Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar masa pas një ligjërate të mbajtur mbi Gjykatën Speciale në ambientet e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në kryeqytet. 

Drejtoria ka thënë se ka bazuar nga informatat zyrtare nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa miratimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës, pa pasur autorizimin e Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet. 

“Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi. Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar këtë aktivitet me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”. Transparenca, llogaridhënia dhe përgjegjësia institucionale janë parime të panegociueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për nxënësit dhe mjediset shkollore”, është thënë nga Drejtoria e Arsimit nëpërmjet një postimi në Facebook. 

E nga shkolla “Xhevdet Doda” kanë reaguar duke thënë se asnjë zyrtar apo gjykatës i Dhomave të Specializuara në Hagë nuk ka mbajtur ligjëratë. 

“Ligjërata në fjalë është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë e njohur që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete, me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve. Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ. Gjatë ligjëratës janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative. Çdo interpretim apo pretendim tjetër që sugjeron ndryshe është i pavërtetë dhe i pabazuar”, është thënë në një postim të shkollës. 

Shkolla ka thënë se organizuata YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në fakultete dhe shkolla të mesme në mbarë Kosovën. 

“Theksojmë se kjo organizatë ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në fakultete dhe shkolla të mesme në mbarë Kosovën, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve. Për informacione shtesë, palët e interesuara mund të kontaktojnë drejtpërdrejt organizatën në fjalë. Drejtoria Komunale e Arsimit nuk është e përfshirë në këto pëlqime për mbajtjen e ligjëratave të tilla, dhe pëlqimi është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës - KDSH. Në këtë kontekst, kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim apo keqkuptim të shkaktuar tek nxënësit, prindërit dhe opinioni publik. Ju sigurojmë se, në të ardhmen, shkolla dhe Këshilli Drejtues do të tregojnë kujdes të shtuar në vlerësimin dhe miratimin e aktiviteteve të ngjashme, në mënyrë që të shmangen situata të tilla. Shkolla jonë mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, edukimit cilësor dhe informimit korrekt të nxënësve dhe opinionit publik”, është thënë nga shkolla.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka konfirmuar për RTKLive se aktivitetet që kjo gjykatë zhvillon në Kosovë në kuadër të Programit të Outreach kanë karakter informues dhe nuk përbëjnë ligjërata.

“Që nga viti 2018, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK) organizojnë rregullisht aktivitete në mbarë Kosovën me grupe të ndryshme, përfshirë studentë, por edhe anëtarë të komuniteteve lokale, juristë, gazetarë dhe të tjerë, në kuadër të Programit të Outreach-it të Gjykatës”, ka deklaruar Doyle për RTKLive.

Ai ka theksuar se këto aktivitete synojnë informimin e publikut dhe përgjigjen ndaj pyetjeve të qytetarëve.

"Këto aktivitete nuk janë ligjërata, por ngjarje informuese. Qëllimi i tyre është të jemi të pranishëm në Kosovë dhe t’u përgjigjemi pyetjeve të qytetarëve lidhur me punën e Gjykatës”, ka shtuar ai.

Sipas zëdhënësit, Programi i Outreach-it i DSK-së është i ngjashëm me praktikat e tribunaleve të tjera me seli në Hagë.

“Meqenëse gjykimet zhvillohen jashtë Kosovës, synimi është që qytetarëve t’u ofrohen informacione bazë mbi mandatin dhe aktivitetet e Gjykatës, të dëgjohen pikëpamjet e tyre dhe t’u jepet përgjigje pyetjeve që kanë. Informacioni i prezantuar është publik dhe i njëjtë me atë që gjendet në faqen zyrtare të internetit”, ka deklaruar Doyle.

E reagim ka pasur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“Kjo që po shohim nuk është ligjëratë e rastësishme, por përpjekje e qartë e Dhomave të Specializuara për ‘kontroll të dëmit’ ndaj imazhit të tyre të rënduar, pas shkeljeve të njëpasnjëshme që i kanë bërë ndaj të drejtave themelore të të akuzuarve dhe ndaj vetë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Në vend që të merret me fushata propagandistike dhe menaxhim të imazhit publik, Gjykata Speciale duhet ta përmirësojë besueshmërinë e saj duke respektuar Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Këto skena na përkujtojnë se, në mënyrë të ngjashme, dikur kanë vepruar edhe organet e pushtetit në ish-Jugosllavi, përkatësisht Lidhja Komuniste dhe Lidhja Socialiste, të cilat pas demonstratave të lëvizjes studentore të vitit 1981 organizonin mbledhje nëpër fshatra dhe kolektive pune, me qëllim të dënimit të organizatorëve të këtyre demonstratave dhe të përgatitjes politike e psikologjike të popullit për t’i pranuar si të mirëqena dënimet drakonike që pushteti i atëhershëm po përgatitej t’ia shqiptonte rinisë shqiptare. Kjo qasje e njohur e propagandës dhe presionit institucional nuk i shërben drejtësisë, por imponimit të një narrative të parapërgatitur”, është thënë nga OVL-UÇK.