Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, e ka quajtur mega aferë rastin e miliarderit Jeffrey Epstein pasi sipas Palokajt prekë shumë aspekte, atë njerëzor por edhe politik duke përmendur edhe përfshirjen e ish të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Palokaj ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV, se Lajçak është një gënjeshtar dhe se këtë e ka dëshmuar në katër ditët e fundit duke i ndërruar vazhdimisht deklarimet në lidhje me rastin “Epstein”.
“Këtu duhet ta ndajmë këtë mega aferë në disa aspekte, aspekti i parë është ai juridik dhe kriminal me keqtrajtimin e të miturave, pastaj trafikimin. Duhet ta ndajmë në aspektin e vlerave të sistemeve dhe pastaj t’i shohim edhe pasojat politike. Pastaj e kemi Miroslav Lajçakun, ai ka dhënë dorëheqje nga posti i fundit që ka pasur si këshilltar për siguri kombëtare të kryeministrit të Sllovakisë. Lajçak ka dëshmuar me sjelljen e tij në katër ditët e fundit që është thjesht një gënjeshtar. Të premten ka thënë se asnjëherë nuk ka shkëmbyer mesazhe ku janë përmendur femrat, të shtunën ka dhënë dorëheqje ndërsa dje në një intervistë në radio ka thënë se nuk i kujtohet ky komunikim por kur i lexon këto mesazhe ndjehet si idiot”, ka deklaruar Palokaj.
Korrespodenti i KOHËS ka dekaruar po ashtu se fakti që Lajçak për gati 20 vite ka qenë me misione të caktuara nga Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor, vë në dyshim punën e tij gjatë asaj periudhe.
Palokaj nënvizoi në veçanti afërsinë e Lajçakut me strukturat ruse.
“Problemi është që Lajçak për gati 20 vite, ka qenë në krye të përpjekjeve të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë periudhë BE-ja si shqetësimin kryesor në këtë rajon ku Lajçak kishte rolin kryesor, e ka pasur luftimin e ndikimit të Rusisë, e tash Lajçak në atë komunikim shihet se ka qenë njeri i afërt me strukturat e Rusisë. Në komunikim me Epsteinin më së shumti ai ofrohet për të siguruar takime të nivelit të lartë të qeverisë ruse dhe shpreh edhe dashuri për ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavror”, ka deklaruar Palokaj.
Qeveria e Kosovës gjatë procesit të dialogut e ka akuzuar lehtësuesin e BE-së se nuk është i paanshëm në punën e tij. Këto akuza nga ana e Kosovës kishin hasur në kritika të mëdha nga BE-ja, e cila i doli fuqishëm në mbrojtje Lajçakut. Gjatë mandatit të tij, Lajçak shumë shpesh në raportime te vendet anëtare e ka kritikuar më shumë Kosovën sesa Serbinë për mungesë të progresit në procesin e normalizimit të raporteve.
Megjithatë, Bashkimi Evropian është i mendimit se përmendja e Miroslav Lajçakut në dosjen “Epstein” dhe dashuria e tij për ministrin e Jashtëm të Rusisë nuk e kanë komprometuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin për pesë vjet e ka lehtësuar pikërisht Miroslav Lajçak.
Zimeri: SHBA-ja duhet t’i ndjekë penalisht të gjithë personat e përfshirë në rastin "Epstein"
Sead Zimeri, profesor në “Nord University”, ka thënë se autoritetet amerikane duhet t’i ndjekin penalisht të gjithë personat e përfshirë në rastin “Epstein”.
Sipas Zimerit, rasti “Epstein” nuk është vetëm çështje e shkeljeve individuale të ligjit, por se pasqyron ekzistencën e një sistemi që u mundëson disa individëve të fuqishëm të veprojnë mbi ligjin.
“SHBA-ja duhet t’i ndjekë penalisht të gjithë personat që janë inkuadruar në këtë rrjet të krimit të pedofilisë. Problemi është strukturor sepse ekziston kjo klasë e njerëzve që mendojnë se janë mbi ligjin, se rregullat ligjore nuk funksionojnë për ta. Kjo është prapavija që duhet të merret parasysh, jo vetëm aspekti ligjor që duhet të penalizohen këta njerëz, por kjo nuk e shpjegon pse ndodhin këto dukuri. Ky sistem është ndërtuar ashtu që njerëzit që arrijnë të ngrihen ekonomikisht ata krijojnë një distancë nga populli”, ka thënë Zimeri.
Xërxa për rastin "Epstein": Drejtësia e ka mbyllur njërin sy
Në rastin e Jeffrey Epstein, sociologu Genc Xërxa thotë se tregohet më së miri se si drejtësia mbyll sytë kur bëhet fjalë për njerëzit e pushtetshëm qoftë edhe në Amerikë.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Xërxa ka deklaruar se në aspektin sociologjik kjo shpjegohet si devijim i elitave të pushtetshme.
“Rastin Epstein në aspektin sociologjik mund ta cilësojmë si devijim të elitave të pushtetshme dhe jo si vetëm devijim po zhytje në krim të pushtetshëm. Pra, për njerëzit e pushtetshëm që kanë pushtet mbi jetën sociale, politike e kulturore. Duke e ditur që kemi të bëjmë me elita të fuqishme dhe ndikimin e tyre, gjyqësia e ka mbyllur njërin sy”, ka thënë Xërxa.
Sipas Xërxës këtë e tregon më së miri fakti që në vitin 2008 në rastin e parë kur ka pasur bazë reale për akuzimin e Epstein, drejtësia mbylli njërin sy duke e dënuar me vetëm 13 muaj burgim dhe 12 orë punë ditore.
Rasti “Epstein” - Shukriu: Shteti i së drejtës u lëkund përballë figurave të mëdha
Shukriu në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se po të mos ishin mediat, ky rast do të heshtej plotësisht.
“Fakti i rastit Epstein doli nga mediat dhe gazetari. Po të mos ishte ky mjet do të heshtej plotësisht ky rast për arsye që kemi shumë miq dhe dashamirë të së keqes brenda të involvuar në këtë rast. Rasti është tipik një shëmbull i përplasjes së shtetit të së drejtës me pushtetin ekonomik dhe politik. Shteti i së drejtës u lëkund para interesave personale të figurave të mëdha që u prezantuan në aspektin e reputacionit publik dhe shfaqjeve para botës dhe moralista si njerëz që kanë qenë dhe kontribuar në aspektin e drejtësisë”, ka thënë Shukriu.